Lajme Shqip Friday, 17 August 2012 12:09

Ai ka thënë se duhet të rritet numri i tyre në Kosovë, ashtu si edhe siguria për ta.

“Insistojmë që të rritet siguria. Me neveri dëgjojmë çdo ditë raporte për sulme, rrahje, tentim-vrasje dhe vrasje të të kthyerve tanë dhe nuk mund të kuptojmë se si komuniteti ndërkombëtar dhe të gjithë ata që kanë marrë përgjegjësitë për një jetë të përbashkët në Kosovë, nuk mund t’i sjellin autorët para drejtësisë”, ka thënë Vulin, raportojnë mediat serbe.

Zyrtarit serb i është dhënë leja e qëndrimit në Kosovë nga autoritetet kosovare. Përveç Shtërpcës, ai viziton edhe Prizrenin, Rahovecin dhe Hoçën e Madhe. Vulin do të qëndrojë në Kosovë edhe të shtunën. (LajmeShqip.com)

*******************************************

Prishtinë – Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Aleksandar Vulin, sot dhe nesër pritet të vizitojë Kosovën.

Autoritetet kosovare konfirmojnë se për këtë vizitë është marrë leje nga Qeveria e Kosovës, raporton RTK-ja. Në Kosovë pritet të arrijë gjatë ditës i ashtuquajturi drejtori I Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Aleksandar Vulin.

Duke konfirmuar vizitën, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, bënë të ditur se vizita po bëhet me leje të Qeverisë së Kosovës: “Lidhur me vizitën e Vulin në Republikën e Kosovës mund të them se me aprovim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ai do të bëjë vizitë më datë 17 – 18 ,dhe Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ofruar siguri gjatë kësaj vizite e cila ka karakterin e vizitës religjioze”, tha Kelani.

Ndërkohë zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian kanë përsëritur qëndrimin rreth procedurave për vizita dhe dhënien e lejeve paraprake. Në këtë drejtim, Bashkimi Evropian vepron vetëm si lehtësues në komunikim, thuhet në një prononcim përmes postës elektronike.

Në përgjithësi BE inkurajon të gjitha palët që të respektojnë parimet për të cilat është arritur pajtim dhe të shfrytëzojnë mundësitë për vendosjen e raporteve të mira fqinjësore në linjë me perspektivën evropiane të rajonit. EUSR-ja ofron “kanalin” për këto vizita. Bazuar në këtë rol diplomatik, Zyra e BE-së në Kosovë nuk ka komentuar asgjë rreth vizitës në fjalë. Ndërkohë mediat serbe thonë se Vulin gjatë vizitës dyditore dhe të parë që nga marrja e postit të ri, do të vizitojë Prizrenin, Shtërpcën, Rahovecin dhe Hoçën e Madhe. (LajmeShqip.com)