Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 17:29

Kabul – Në një sulm ajror të forcave të NATO-s  në Afganistan, janë vrarë talebanët, përgjegjës për rrëzimin e helikopterit të NATO-s nga fundi i javës së kaluar, që ishte  fatkeqësia më e madhe në luftën dhjetëvjeçare.

Me një goditje precize në zonën Çak, në provincën Vardak, u vranë komandanti taleban mula Mohibula dhe kryengritësi,  i cili më 6 gusht e rrëzoi helikopterin CH-47, me ç’rast humbën jetën 38 ushtarë, 31 amerikanë dhe 7 afganë, thuhet në kumtesën e forcave ndërkombëtare për mbajtjen e sigurisë në Afganistan – ISAF.

Forcat  për operacione speciale  e gjetën mula Mohibula dhe e vranë, me ndihmën e një numri të madh të porosive zbuluese nga banorët lokalë, thuhet në kumtesë.

Të dy kanë planifikuar ta braktisin vendin që t’i shmangen arrestimit.

Vrasja e talebanëve u konfirmua nga  komandanti i forcave të SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan, gjenerali Xhon Alen. Ai para gazetarëve në Pentagon theksoi se po zhvillohet hetim për sqarimin e rrethanave rreth  fatkeqësisë të helikopterit transporues, i cili sipas tij nuk është rrëzuar me raketë kundërajrore.