Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 16:15

Shkup – Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka apeluar që të mos drejtohen akuza në drejtim të një populli apo etniteti të tërë lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Shkup.

“Në rast se vrasësit janë maqedonas nuk mund të jenë fajtorë të gjithë maqedonasit, në rast se janë shqiptarë nuk do të thotë se janë fajtorë të gjithë shqiptarët. Këtë e dëshirojnë ata që nuk ia duan të mirën Maqedonisë. Duhet të përgjigjet ai që ka kryer krimin, për shkak se akte të tilla monstruoze ndodhin në shumë shtete”,- deklaroi Gruevski mbrëmë në një tribunë të partisë së tij , VMRO-DPMNE, me qytetarët e komunës Aerodrom në Shkup.

Sipas tij, shumë individë dhe politikanë po tentojnë që nga kjo tragjedi të bëjnë spekulime dhe të shkaktojnë trazira të mëdha midis qytetarëve, si dhe tensione dhe përleshje ndëretnike. “Do të vijë koha dhe fuqimisht besoj se do të kapen autorët dhe pavarësisht se cilit etnitet i takojnë, ata do të përgjigjen para ligjit”, – theksoi Gruevski. (LajmeShqip.com)