Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 09:02

Partia Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), bëri thirrje që ti bëhet ftesë byrosë amerikane, pasi që siç thuhet policia dhe organet e hetuesisë së Maqedonisë, nuk kanë kapacitet që të zbardhin rastin e vrasjes së pesëfishtë. “Moszbardhja e këtij rasti makabër, posaçërisht pozicioni në vendnumëro i organeve të hetuesisë, gjithnjë më shumë shkakton pasiguri dhe shqetësim te qytetarët dhe hap dilemat, vallë pushteti aktual ka vullnet për zgjidhjen e rastit, ose vetëm fiton në kohë për të humbur gjurmët e këtij akti të shëmtuar i cili mund të rezultojë edhe me fenomene dhe dukuri te destabilizimit të kontrolluar ne vend dhe me ndikim edhe rajonin e trazuar te Ballkanit”, thekson RDK.

Sipas kësaj  partie, Qeveria e Maqedonisë duhet të kërkojë ndihmë profesionale nga Byroja Federale e Hetimeve  – FBI dhe rastin në fjalë t’ua besojë ekspertëve të këtij shërbimi”. RDK vlerëson se në këtë rast hetimet duhet të jenë të nivelit më të lartë ndërkombëtar sepse përvojat dhe ekspertët e FBI-së janë shume më të avancuar në raport me kapacitetet qeveritare për te zbuluar krime të kësaj natyre.

“Është praktikë e njohur në shumë vende të botës, ndërsa kemi shembullin edhe të vendeve fqinje, ashtu si situata në Gërdec të Shqipërisë kur shpërtheu magazina ushtarake, ose protestat e 21 janarit të vitit 2011 në Tiranë, akte këto tragjike dhe të dhunshme që morën vlerësim meritor kompetenet vetëm nga ekspertiza e huaj amerikane”, thekson RDK.

“Nëse kjo qeveri, sidomos kryeministri dhe ministrja e brendshme mbajnë llogari për stabilitetin dhe paqen në vend dhe në rajon, ata sa më parë do të duhet te kërkojnë asistencë ndërkombëtare për zbardhjen e rastit në fjalë me qëllim të gjetjes dhe ndëshkimit të fajtorëve të vërtetë”, thekson RDK. (INA)