Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 12:29

(E PERDITESUAR)- Pas dy ditësh rrethim, policia franceze e ka vrarë të dyshuarin për vrasjen e tre fëmijëve në një shkollë judeje në Tuluzë.

Muhamed Merah është vrarë në banesën ku ishte rrethuar prej të mërkurës, ndërsa ka shkëmbyer zjarr me policinë. Për pasojë, gjatë operacionit tre punonjës policie kanë mbetur të plagosur.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, kishte kërkuar ta kapnin të gjallë Merah, por rrethimi i tij u kthye në një telenovelë, për shkak se zgjati shumë dhe për këtë arsye policia vendosi të ndërhyjë.

********************************

Kapja e të dyshuarit për vrasjen e fëmijëve në shkollën hebraike në Tuluzë të Francës, duket se është kthyer në një telenovelë të vërtetë. Edhe pse mbahet i rrethuar prej dy ditësh nga ana e policisë, ai nuk është mundur që të arrestohet ende. Për këtë arsye, gjithëFrancai ka sytë ende nga Tuluza, duke pritur lajme për arrestimin e mundshëm të Muhamed Merah.

Ministri i Brendshëm francez, Kllod Guend, ka thënë se është e paqartë nëse i dyshuari është ende gjallë brenda apartamentit ku është ngujuar, në jugperëndim të Tuluzit.

Ai ka thënë se nuk ka pasur shenja të lëvizjes së tij për rreth 10 orë, ndonëse policia ka dëgjuar dy të shtëna me armë, siç duket nga brendia e apartamentit, gjatë natës.

Policia ka bërë përpjekje të negociojë dorëzimin e të dyshuarit, të identifikuar si Muhamed Merah, që nga mëngjesi i së mërkurës.

Merah, 24 vjeç, me shtetësi franceze, por me prejardhje nga Algjeria, dyshohet për vrasjen e tre ushtarëve francez këtë muaj, si dhe për vrasjen e katër personave në shkollën hebraike të Tuluzit më 19 mars.

Në mesin e viktimave të tragjedisë së fundit ishin tre fëmijë dhe një i rritur.

Merah ka pranuar se ka lidhje me Al Kaidën. Ai ka thënë se i ka bërë vrasjet për t’u hakmarrë ndaj akteve që kanë kryer ushtarët francezë në Afganistan dhe për fëmijët palestinezë, që kanë humbur jetën në konfliktin me Izraelin.

Gjithë kjo telenovelë në fakt, duket se po zgjat prej faktit se presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka kërkuar që Merah të kapet i gjallë.