Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 16:54

Bruksel-Bashkimi Europian nuk po bie dakord për ti dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për në BE. Presidenti serb Boris Tadiç doli pak më parë në një konferencë për shtyp bashkë me presidentin e Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso, krejt i prerë në fytyrë.

Barroso paralajmëroi se vendimi për statusin mund të shtyhet dhe të mos jepet sot.

“Besoj se jemi shumë afër që të marrim një lajm të mirë, pjesa më e madhe e vendeve anëtare janë dakord për ti dhënë Serbisë statusin kandidat.

Edhe nëse ky vendim nuk merret sot, ne presim që të merret në takimin e rradhës së Këshillit Europian.

Serbia meriton statusin kandidat por ne presim progres të mëtejshëm. Është shumë e rëndësishme që Serbia të mbetet e angazhuar ndaj axhendës së reformave dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën”-tha Barroso. 

Sipas një njoftimi të mëparshëm jo zyrtar, Rumania ka kërkuar disa garanci shtesë nga Serbia përpara se ti jepet statusi kandidat. Bukureshti kërkon që Beogradi të implementojë në menyre të rregullt ligjet për pakicat kombëtare.

Por Tadiç e bëri të qartë se Serbia nuk do të pranojë të plotësojë kritere shtesë.

“Ne presin një vendim pozitiv final, por tani po diskutojmë për disa probleme mes Serbisë dhe disa vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Serbia ka pranuar të gjitha kriteret në perputhje me kriteret e Kopenhagenit por Serbia nuk do të pranojë diçka që nuk është në përputhje me to. Ky është qëndrimi i vendosur i qeverisë së Serbise dhe i imi personalisht. Do të vazhdojmë përpjekjet tona për arritjen e statusit kandidat”-tha Tadiç. (LajmeShqip.com)