Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 18:42

Shkup – Takimi i liderëve që u organizua pasditen e së martës në rezidencën e presidentit Gjorge Ivanov në “Vodno”, ka përfunduar pa asnjë marrëveshje. Në takim kanë marrë pjesë liderët e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së e DR-së, respektivisht, Nikolla Gruevski, Branko Cërvenkovski, Ali Ahmeti e Imer Selmani, derisa PDSH e Menduh Thaçit edhe krahas ftesës kanë bojkotuar takimin, duke pohuar se Ivanovin se njohin për president të shtetit.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka thënë se VMRO-DPMNE do të shkojë në zgjedhje pa opozitën dhe se nga ana e qeverisë janë bërë përpjekje maksimale dhe se ka pranuar kërkesat e opozitës ndaj të cilëve ka pasur argumente kundër.

“Kemi ndërgjegje të pastër, ne shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Gruevski, duke shtuar se data e saktë e zgjedhjeve do të kumtohet ditëve në vijim. Ndërkohë, sipas liderëve të opozitës, qëllimi i pushtetit është të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Ata kanë paralajëmruar se mbeten jashtë Parlamentit. Ditë më parë liderët kanë arritur ujdi për pastrimin e Listës Zgjedhore për një afat 30-ditor dhe që në vendvotime komisionet të përbëhen nga katër anëtarë të partive dhe një të administratës shtetërore në vend. Është pranuar edhe Kërkesa e vetme e Demokracisë së Re (DR), të cilën në takim e ka parashtruar Imer Selmani, që ka të bëjë me ridefinimin e njësive zgjedhore me qëllim që të respektohet Ligji i zgjedhjeve, që nuk lejon dallime mbi apo nën 5 për qind ndërmjet gjashtë njësive zgjedhore. Ndërsa lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, ka thënë se edhe pse është bërë një përparim i caktuar, në qoftë se nuk përmbushen të gjitha kërkesat e tyre ata nuk do të kthehen në Parlament dhe se mbetet hapur mundësia për bojkotim të zgjedhjeve eventuale të parakohshme, derisa lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka thënë se ka përafrime të pozicioneve midis palëve.
“PDSH-ja, së pari nuk e njehë Ivanovin si president të vendit, sepse ai nuk e ka edhe besimin, dhe legjitimitetin e shqiptarëve, kështu që edhe nëse kishte me pas ftesë lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, nuk do të marte pjesë. Por ne kishim me marrë pjesë vetëm ai takim nëse ftohet nga kryeministri i vendit edhe atë ku do të marrin pjesë vetëm katër partitë më të mëdha, edhe atë nga dy të shqiptarëve dhe dy të maqedonasve, sepse opozitën shqiptare mund ta përfaqësojë vetëm PDSH, në bazë të rezultateve të vitit 2008”, ka thënë nga ana tjetër, zëdhënësi i PDSH-së Luan Tresi.

Ndryshe, lideri i DR-së, Imer Selmani është paraqitur me dhjetë kërkesa, ndër të cilat janë të njohura deri tani si pjesë e platformës së saj politike, por është shprehur edhe kërkesa e zgjedhjeve me lista të hapura dhe zvogëlimin e njësive zgjedhore.