Lajme Shqip Saturday, 23 July 2011 13:27

Shkup – Dy partitë më të mëdha politike maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë nisur një fushatë të ashpër akuzash duke përdorur çështjen shqiptare në Maqedoni.

Lidhja Social Demokrate (LSDM) në opozitë ka nisur fushatën, duke drejtuar akuza kundër partisë VMRO-DPMNE të mandatarit për formimin e Qeverisë, Nikolla Gruevski, ndaj të cilës ka drejtuar akuza për tradhti kombëtare dhe lëshime ndaj kërkesave të shqiptarëve në Maqedoni.

Arsyet për këto akuza janë tri kërkesat e miratuara ditë më parë nga ana e Parlamentit që kanë të bëjnë me mbylljen e rasteve gjyqësore të kthyera nga Tribunali i Hagës, që ngarkonin dhe akuzonin ish-UÇK-në për krime lufte në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, ndryshimet dhe zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare shqiptare. Këto kërkesa u quajtën maksimaliste tek kampi politik opozitar maqedonas, derisa partitë shqiptare të opozitës janë shprehur të pakënaqura për ndryshimet për gjuhën dhe simbolet kombëtare.

Kjo parti ka nisur edhe fushatë mediale me materiale propaganduese, duke e akuzuar mandatarin dhe kryeministrin e deritanishëm Gruevski për patriot të rrejshëm dhe tradhtar të interesave kombëtare maqedonase. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM se kishte përgatitur plan për të pranuar kërkesa maksimaliste të partive shqiptare, në rast se kjo parti do të fitonte në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit.

Sipas materialeve propaganduese të publikuara në disa media, VMRO-DPMNE akuzon se LSDM do të pranonte përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në mbarë territorin e Maqedonisë, përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare në tërë territorin e vendit, dhënien e postit të kryetarit të Parlamentit për partitë shqiptare, dhënien e kryeministrit për partitë shqiptare, drejtoritë policore për partitë shqiptare si dhe koncesione të tjera. Ndryshe, partitë shqiptare kanë dënuar këtë fushatë duke e quajtur të panevojshme dhe irituese për shqiptarët në Maqedoni, duke kërkuar njëherësh që të ndërpriten këto lloj akuzash që kanë të bëjnë me çështjet shqiptare. (LajmeShqip.com)