Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 16:07

Shkup – Propozim-ligji për përdorimin e gjuhës shqipe ka shkaktuar debate të ashpra midis partive rivale maqedonase VMRO-DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM).

Partia e Branko Cërvenkovskit ka akuzuar partinë maqedonase në pushtet se po bën shkelje të kushtetutës, duke mos respektuar procedurat parlamentare për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Opozita maqedonase ka kërkuar që propozim-ligji të tërhiqet nga procedura parlamentare dhe të vendohet me procedurë të rregullt.

“Kur Gruveski dhe Ahmeti dëshirojnë të fshehin diçka nga opinioni, përfaqësuesit e qeverisë nuk janë prezentë në institucionin ligjvënës. Sot këtu ka një të vërtetë, VMRO-DPMNE mes shtetit e kushtetutës, ka zgjedhur postet e  kolltuqet”, ka thënë Radmilla Sheqerinska, gjatë debatit në komisionin parlamentar të sistemit politik.

Nga ana tjetër, Aleksandër Nikollovski, nga VMRO-DPMNE-ja, në fjalimin e tij ka thënë se me ndryshimet e reja të ligjit për gjuhët, nuk do të çrregullohet sistemi shoqëror në Maqedoni, përveç se, siç tha ai, “ministrat do të kenë të drejtë të flasin në gjuhën shqipe”.

“Është e tmerrshme kjo që bëni ju, me këtë patriotizëm të rrejshëm, pasi që kjo nuk do të ndikojë në rritjen e rejtingut të LSDM-së e as në zvogëlimin e asaj të VMRO-së. Një ish-kryeministër, kuadër i LSDM-së, bashkëpunonte me një bandë-kriminale me qëllim të përfitimeve personale”, ka thënë Nikollovski.

Ndërkohë, deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Izet Zeqiri, ka thënë se këto janë vetëm ndryshime teknike, të cilat aspak nuk do ta avancojnë përdorimin e gjuhës shqipe dhe kërkoi që e njëjta të jetë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë. (LajmeShqip.com)