Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 19:16

Shkup – VMRO-DPMNE dhe BDI, kanë plotësuar tre pikat e marrëveshjes për formimin e koalicionit me votimin së fundmi të propozimit për interpretimin autentik të Ligjit për amnisti.

Mbyllja e rasteve të Hagës, votimi i ndryshimit të ligjeve për përdorimin e gjuhëve dhe përdorimin e simboleve kombëtare të bashkësive etnike, gjegjësisht asaj shqiptare, ishin tre kërkesat e BDI-së që ishin vënë si parakusht që të marrin dritë jeshile para votimit të Qeverisë së re.

Ndryshimet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, mundësojnë që ministrat dhe funksionarët e tjerë shqiptarë, të përdorin gjuhën shqipe në komunikimet, në Parlament. Ndryshimet e Ligjit për simbolet kombëtare, parashikon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në komunat me mbi 50 për qind të popullsisë shqiptare, në të gjitha institucionet komunale dhe qeveritare të këtyre komunave. Por, sa i përket flamurit kombëtar, ai duhet të jetë në format më të vogël se sa ai shtetëror. Partitë politike shqiptare të opozitës PDSH dhe RDK kanë kundërshtuar ndryshimet e dy ligjeve, pasi që sipas tyre ato diskriminojnë dhe nuk plotësojnë kërkesat e shqiptarëve. Zgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së përmes ligjeve aktuale, zgjidhja e shpejtë e kontestit të emrit dhe zhbllokimi i proceseve euroatlantike, projekte infrastrukturore dhe zhvillimore janë pikat tjera që jozyrtarisht janë pjesë e marrëveshjes BDI dhe VMRO-DPMNE.

Propozimi i miratuar mbrëmë për interpretimin autentik të Ligjit për amnisti, mbyll përfundimisht të gjitha rastet e ngritura nga gjykatat e vendit që kanë të bëjnë me dyshimet për krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe që ngarkojnë ish-UÇK-në. Me votimin e këtij propozimi, i jepet fund procesuimit të katër rasteve, në mesin e të cilëve ishte edhe rasti i akuzës së ngritur kundër ish-udhëheqësisë së UÇK-së.  Ndryshe, votimi i Qeverisë së re është caktuar të bëhet javën e ardhshme, gjegjësisht më 27 korrik, para skadimit të afateve zyrtare.