Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 19:28

Shkup – Dy partitë VMRO-DPMNE dhe BDI kanë shtyrë zbardhjen e përbërjes së re qeveritare për javën tjetër, pasi që akoma nuk është arritur marrëveshja për ndarjen e disa drejtorive të rëndësishme.

BDI, sipas burimeve të portalit Lajmeshqip.com, është e vendosur që të drejtojë njërën nga dy drejtoritë relevante të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorinë e Sigurimit Publik dhe Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, dhe njërën nga dy drejtoritë e rëndësishme të Ministrisë së Financave, Drejtorinë e të Ardhurave Publike apo Drejtorinë e Doganave.

Edhe pse të premten mbrëma ishte pritur që të përfundojnë negociatat për Qeverinë e re, kjo nuk ndodhi, ashtu që sipas marrëveshjes më të fundit VMRO-DPMNE dhe BDI janë dakorduar që kjo të ndodhë më së voni deri të martën.

Negociatat po vijojnë edhe lidhur me ndarjen e disa drejtorive të tjera, ndërsa marrëveshja është drejt finalizimit edhe për platformën politike që BDI synon ta përfshijë në programin qeveritar. Nga BDI akoma nuk kanë zbardhur asnjë emër se kush do të drejtojë ministritë dhe disa kuadrot që do të jenë në pozitat e zëvendësministrave, sekretarëve shtetëror dhe drejtorive.

Nga ana tjetër, edhe në VMRO-DPMNE asnjë emër nuk është përfundimtar rreth përfshirjes në kabinetin e ri të mandatarit Nikolla Gruevski. Ditëve të fundit nga dyja partitë vijojnë të përmenden emra të kandidatëve për ministra, mirëpo asnjë nga ata nuk konfirmohen zyrtarisht nga shërbimet partiake. Ajo që është e qartë është se BDI në kuadër të Qeverisë së re do të qeverisë me zëvendëskryeministrin për Marrëveshjen e Ohrit, zëvendëskryeministrin për euro-integrime, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Drejtësisë, Ekonomisë, Ambientit Jetësor, Pushtetit Lokal. Raporti i bashkëqeverisjes është 2:1 në favor të VMRO-DPMNE e cila me partitë e tjera të koalicionit do të udhëheq dikasteret e tjera. (LajmeShqip.com)