Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 18:52

Shkup – Një grua sot ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Shkup si pasojë e infektimit nga virusi i njohur i ashtuquajtur i Nilit Perëndimor.

Kjo është viktima e parë në Maqedoni që ka ndërruar jetë nga ky virus, i cili ka përfshirë edhe dy pacientë të tjerë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.   Gruaja që ka ndërruar jetë është e moshës 53 vjeçare dhe se bëhet fjalë për pacient me shëndet të rrezikuar që vuante nga diabeti, hipertensioni dhe pesha e rëndë. Pacientja që ndërroi jetë është pranuar në Klinikën Infektive nga 11 shtatori i këtij viti dhe se rezultat e para rezultuan pozitive sa i përket infektimit të saj nga virusi i Nilit Perëndimor. 

Drejtori i Klinikës Infektive, Zvonko Milenkoviq deklaroi se janë ndërmarrë masat për të përballur fluksin e mundshëm të pacientëve që mund të jenë viktima të infektimit nga ky virus vdekjeprurës. Instituti i Shëndetit Publik deklaroi se janë dërguar në Institutin e specializuar Robert Koh në Berlin disa mostra nga analizat e bëra për të vërtetuar se për cilin lloj të virusit bëhet fjalë dhe për ndërmarrjen e masave për parandalimin e tij. Vitin e kaluar janë evidentuar katër raste të infektuara me këtë virus, mirëpo ato pas terapive dhe trajtimit mjekësor janë shëruar me sukses. Virusi i Nilit Perëndimor është sëmundje infektive që përcillet tek njeriu nga kafshimi nga insektet dhe më pas mund të shkaktojnë sëmundje të rënda vdekjeprurëse. 

Virusi i Nilit Perëndimor është i pranishëm së fundi edhe në Greqi, Serbi, Kroaci, si dhe Rumani, Rusi, Itali dhe SHBA, etj. (LajmeShqip.com)