Lajme Shqip Sunday, 29 December 2013 14:45

Protestat kanë vazhduar në sheshin Taksim të Stambollit, e ndërsa përleshje mes protestuesve dhe policisë nuk kanë munguar, njofton Time-al.

Vala e protestave e shtrirë edhe në qytete të tjera duket se ka vënë në pozita të vështira kryeministrin turk Rexhep tayip Erdogan. 

Protestuesit kërkojnë largimin e Erdoganit pas shpërthimit të një skandali korrupsioni ku fëmijët e tre ministrave, atij të Brendshëm, atij të Ekonomisë dhe atij të Mjedisit ishin mes shumë personave të arrestuar.

Policia turke po heton mbi një transfertë të dyshimtë parash për në Iran dhe për mitmarrje për projektet e ndërtimit, skandal ky që ka shkaktuar rënien e lirës kundrejt dollarit.

Por me gjithë valën e fundit të zemërimit Erdogan mbetet sfidues.  Ai thotë se nuk do të tërhiqet pavarësisht akuzave për korrupsion që detyruan tre ministra të dorëhiqen më herët gjatë javës. Erdogan bëri thirrje për të luftuar ndaj asaj që shihet si sfida më e madhe për qeverinë e tij në 11 vite detyrë.

Ai e cilësoi hetimin për korrupsion si një  fushatë të pistë.  ”Ata që e quajnë hetim për korrupsion janë të korruptuar vetë”, tha kryeministri turk Rexhep tayip Erdogan.