Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 09:53

Athinë – Protestuesit u përplasën dje me policinë në Athinë pas vetëvrasjes së pensionistit para ndërtesës së Parlamentit grek.

Qindra protestues u mblodhën mbrëmë para ndërtesës së Parlamentit, me ç’rast shpërtheu dhunë dhe më shumë bomba janë gjuajtur drejt policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës.

Shtatëdhjetë e shtatë vjeçari Dhimitris Hristulas u vetëvra dje në mëngjes në sheshin Sintagma. Në letrën lamtumirëse, të cilën e transmetuan mediat greke, ai e akuzoi Qeverinë se pensioni i tij ka qenë aq i ulur, sa që u bë i pavlerë.

“Qeveria e shkatërroi çdo përpjekje timen për të mbijetuar, e cila bazohej në pensionin dinjitoz, të cilin e pagova 35 vite pa ndihmën e shtetit. Duke e pasur parasysh atë se vitet nuk më lejojnë të reagoj në mënyrë dinamike nuk shoh zgjidhje tjetër përveç se me dinjitet ta përfundoj jetën time, që të mos kërkoj në mbeturina që të mbijetoj”, theksohet në letrën lamtumirëse.

Zëdhënësi i Qeverisë Pantelis Kapsis deklaroi se vetëvrasja është tragjedi e vërtetë, por rrethanat e sakta janë të panjohura. (LajmeShqip.com)