Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 13:16

Shkup – Partia VMRO-Popullore e ish-kryeministrit Lubço Georgievski, ka vlerësuar se zhvillimet e fundit në Kosovë nuk janë për t’u nënvlerësuar dhe se ato po reflektohen edhe në Maqedoni.

Kryetari aktual i VMRO-Popullore, Marjan Dodovski, reagoi kundër Qeverisë dhe presidentit të vendit që të shqyrtojnë situatën.

Reagimi i kësaj partie bëhet edhe ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili e ndërlidhi ditë më parë krizën në veriun e Kosovës me mundësinë e destabilizimit edhe të Maqedonisë.

“I bëjmë thirrje VMRO-DPMNE që në mënyrë serioze të shqyrtojë marrëdhëniet me zotin Ahmeti dhe partinë e tij. Ne bashkërisht duhet t’i dënojmë të gjitha deklaratat e kësaj natyre”, deklaroi Dodovski, duke kërkuar që të thirret Këshilli Shtetëror i Sigurimit për të marrë masa sigurie pas zhvillimeve të fundit në rajon.

Partia më e madhe opozitare, LSDM, është shprehur kundër çdo ndryshimi të kufijve me dhunë dhe se këto tendenca, sipas saj, janë të dëmshme për interesat shtetërore të vendit.

“Megjithatë, Maqedonia dhe Kosova janë shtete të pavarura. Andaj, pavarësisht se jemi fqinj, nuk duhet që zhvillimet e fundit në Kosovë të vendosen në kontekst apo të ndërlidhen me Maqedoninë”, kanë bërë të ditur nga partia Lidhja Social Demokrate Maqedonase (LSDM). VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski nuk ka shfaqur asnjë vlerësim lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe deklaratën e Ahmetit që ndërlidhi zhvillimet e atjeshme me Maqedoninë.

Ahmeti ka theksuar se ndarja eventuale e Kosovës do të shkaktonte destabilizim edhe të Maqedonisë.

“Nëse ka pretendime për ndryshime të kufijve, nëse ka pretendime për një rend të ri, për një konfiguracion ndryshe nga ky që është tani, unë nuk marrë kurrfarë përgjegjësie dhe të bëhem kujdestarë i paqes në Maqedoni sepse mund të vij në një situatë që njerëzit të vetorganizohen që njerëzit të vetëdrejtohen dhe vetë orientohen siç nuk kanë mundur që ti kontrollojnë gjithë andej gjatë periudhave të viteve të 90 e 99 dhe 2001, unë mendoj se në qoftë se ndodhin situata të tilla dhe situata del jashtë kontrollit, askush nuk mund të marrë përgjegjësi dhe as të garantoj se shqiptarët nuk mund të organizohen në një front të tërë në rast se rrezikohen si tërësi”, ka thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. (LajmeShqip.com)