Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 20:15

Londër- Disa vende të Eurozonës nuk e duan më Greqinë në zonën e monedhës së përbashkët, deklaroi nga Brukseli, ministri i Financave i Greqisë, Evangelos Venizelos.

Ai akuzoi këto shtete se “po luajnë me zjarrin”, ndërsa Greqisë iu kërkua që të paraqesë garanci të reja shtesë për zbatimin e reformave të thella, në këmbim të kredisë madhore nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Kjo është deklarata më serioze e Athinës zyrtare, që është përballur me kushte të shumta, të cilat kanë vonuar marrjen e huasë prej 130 miliardë eurosh, e domosdoshme për të mos shpallur falimentimin në muajin mars.

Parlamenti grek aprovoi një paketë masash shtrënguese ditën e dielë, por Ministrat e Eurozonës i kërkuan Athinës që të paraqiste garanci “të qarta” për zbatimin e marrëveshjes.

Megjithatë, takimi midis Ministrave të Eurozonës dhe delegacionit helen, i parashikuar për të ndodhur të mërkurën, u shty, pasi kreu i negociatave nga ana e BE-së, Kryeministri i Luksemburgut, Zhan-Klod Junker, kërkoi mbajtjen e një konference “gjithëpërfshirëse”.

Gjithashtu, liderëve grekë u është kërkuar që të paraqesin sigurinë se reformat do të zbatohen edhe pas zgjedhjeve të përgjithshme të prillit.

Ndërkohë, Athina përballet prej ditësh me protesta nga më të fuqishmet ndonjëherë dhe greva të përgjithshme të pothuajse të gjitha sindikatave.

Papunësia ka prekur nivelin e 21%, por është 48% midis të rinjve, ndërsa një në tre grekë jeton nën kufirin e varfërisë.

Prodhimi i brendshëm bruto për 2011-n pritet të konfirmohet me -7për qind, viti i pestë radhazi i recensionit të thellë. (LajmeShqip.com)