Lajme Shqip Monday, 15 July 2013 14:40

Washington – Protestat kanë shpërthyer anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas vendimit të gjykatës për të shpallur të pafajshëm George Zimmerman, i akuzuar se ka vrarë adoleshentin e paarmatosur, Trayvon Martin.
Protestat ishin kryesisht paqësore, me përjashtim të Los Anxheles, ku pati tendenca për dhunë.
Turmat mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Drejtësi për Trayvon”.
Zimmerman, një 29 vjeçar hispanik, akuzohej për vrasjen e adoleshentit me ngjyrë shkurtin e shkuar.
Presidenti Obama pati bërë thirrje përpara se të jepej verdikti, që amerikanët të ruajnë qetësinë.
Jurisë iu deshën më shumë se 16 orë për të marrë vendimin për një çështje që ndau vendin.
Ata arritën në vendimin unanim se Zimmerman, një vullnetar për ruajtjen e lagjes dhe aspirant për polic, ishte i justifikuar në vrasjen, pasi jeta e tij ishte në rrezik.
Por tërbimi që pushtoi Amerikën lidhet me faktin se adoleshenti nuk ishte i armatosur.
17 vjeçari Martin u qëllua më 26 shkurt 2012.
Zimmerman njoftoi policinë duke thënë se po shihte një adoleshent të dyshimtë në lagje.
Kur policia mbërriti, Zimmerman e kishte qëlluar adoleshentin, duke thënë se ai e kishte sulmuar.
Zimmerman kishte hundën e thyer dhe plagë edhe në kokë.
Fakti që ndaj Zimmerman nuk u padit që në fillim, bëri që të nisin protesta se ky ishte një veprim me motivim racor./Tema/Lajmeshqip/