Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 08:47

Bruksel – Kryetari i Këshillit Evropian Herman Van Rompuj deklaroi dje se vendet anëtare të Bashkimit Evropian  miratuan dekretin për inkuadrimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën e Shengenit dhe shtoi se vendimi i hyrjes së këtyre shteteve në zonën pa viza në Union do të miratohet në shtator.

“Vendimin për këtë çështje do ta sjellin ministrat e drejtësisë dhe punëve të brendshme në paktin 27 anëtarësh në shtator, ndërsa, deri atëherë duhet të identifikohen dhe zbatohen masat me qëllim që të kontribuohet për këtë proces” deklaroi Van Rompuj dje pas përfundimit të ditës së parë të samitit dyditor të BE-së.

Ai shprehu bindje se për zgjidhjen pozitive të kësaj çështjeje, tani ekziston vullnet më i fuqishëm politik.

“Erdhi koha t’i largojmë  pengesat për inkuadrimin e Rumanisë dhe Bullgarisë drejt zonës Shengen dhe kjo duhet të ndodhë shumë shpejt”, deklaroi presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manul Baroso.

Vendimi për hyrjen e disa vendeve në zonën e Shengenit patjetër duhet të jetë unanim.

Megjithatë kryeministri holandez Mark Rute paraprakisht deklaroi dje në Bruksel se Holanda do të prononcohet kundër hyrjes së Rumanisë dhe Bullgarisë në zonën Shengen, përderisa ato nuk i reformojnë sistemet gjyqësore dhe nuk zbatojnë luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Holanda dhe Finlanda do ta kryesojnë rrymën në BE, e cila është kundër inkuadrimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën e regjimit pa viza në BE.