Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 10:16

Londër – Kryetari i Kuvendut të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski sot përfundon vizitën treditore në Britani të Madhe. Në ditën e tretë të qëndrimit në Londër, Veljanoski është mysafir i debatit në Dhomën e poshtme të Parlamentit britanik, me të cilin kryeson kryetari Xhon Berkou.

Vend qendror në këtë debat, që në rend dite të Parlamentit është çdo të mërkurë, kanë pyetjet e deputetëve të drejtuara deri te kryeministri Dejvid Kameron dhe para së gjithash, llogaria e tij politike me pyetje dhe përgjigje me liderin e laburistëve opozitar Ed Miliband.

Krahas kryetarit të Kuvendit, mysafir të debatit të sotëm rreth pyetjeve të deputetëve janë edhe tre nënkryetarët Svetlana Jakimovska, Suzana Saliu dhe Jani Makraduli. Ata janë pjesë e delegacionit parlamentar të Maqedonisë, i cili në organizim të fondacionit Uestminster për demokraci, qëndron për vizitë studimore njëjavore në Britaninë e Madhe.

Delegacioni në të cilin janë edhe udhëheqësit e grupeve të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, BDI-së, LSDM-së, PDSH-së, PRSD-PL-së dhe PAE-LS-së, pasdite niset për në Edinburg, ku si mysafir i Parlamentit të Skocisë, do ta vazhdojnë vizitën studimore, duke i studiuar përvojat dhe praktikat e sistemit parlamentar të Skocisë.

Kryetari Veljanoski, gjatë vizitës në Londër, u takua me spikerin e Dhomës së lartë britanike (Dhoma e lordëve) baroneshën D’Souza, si dhe me spikerin e Dhomës së poshtme dhe të Parlamentit britanik Xhon Berkou. Me nikoqirët e tij, kryetari i Dhomës ligjvënëse të Maqedonisë bisedoi për vazhdimin e bashkëpunimit të deritanishëm të suksesshëm të parlamenteve të të dy vendeve, si dhe për ambiciet për inkuadrim drejt NATO-s dhe BE-së.

Veljanoski u bëri thirrje D’Souza-s dhe Berkout që ta vizitojnë Maqedoninë.