Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 07:22

Veles – Nën organizim të Komunës së Velesit dhe Korpusit të paqes në Maqedoni, sot në Parkun e rinisë në Veles do të shënohen jubileu 50 vjet nga themelimi i kësaj organizate vullnetare amerikane dhe 15 vjet nga aktiviteti i saj në Maqedoni.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë ambasadori i SHBA-së në Republikën e Maqedonisë Filip Riker dhe Stiven Kaci, drejtor i Korpusit të paqes në Maqedoni.

Në kuadër të manifestimit do të realizohet një program i përshtatshëm, ndërsa në stendat e veta do të prezantohen vullnetarë të Korpusit të paqes, organizata joqeveritare, ekonomistë dhe zejtarë. Pjesëmarrës nga 12 shkolla, ndërkaq, do të prezantohen me vezë të zbukuruara të Pashkëve në temë “Miqtë e mi amerikanë”.

Organizata vullnetare Korpusi i paqes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është krijuar para pesë dekadave me ide të ish-presidentit amerikan Xhon Kenedi, i cili i nxiti studentët nga Miçigani të punojnë si vullnetarë në promovimin e paqes dhe zhvillimit në botë. Sot në Maqedoni gjendet grupi i 15-të i vullnetarëve nga SHBA-ja, të cilët punojnë në komuna, shkolla dhe në organizatat joqeveritare.