Lajme Shqip Monday, 06 August 2012 13:30

Gjilan – Shpresa e madhe e shqiptarëve të Kosovës Lindore për një zgjidhje të drejtë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sikur është zbehur, pasi një pjesë e territorit të saj (veriu i Kosovës) ende nuk është përfshirë nën sovranitetin e plotë dhe kjo ka mbetur që të zgjidhet me  dialog dhe kështu është duke u vepruar. Kjo ka bërë që edhe çështja e pazgjidhur e Kosovës Lindore të mbetet anash e shpesh të harrohet fare nga faktori i Kosovës, Shqipërisë dhe ai ndërkombëtar, thuhet në një kumtesë të shoqatës “Vatra”, e cila mbledh të mërguarit nga Presheva, Bujanoci e Medevgja.

Kjo shoqatë ka paralajmëruar institucionet e Kosovës, por edhe faktorin ndërkombëtar se nëse veriu i Kosovës cilësohet si problem politik, atëherë edhe Lugina e Preshevës duhet të cilësohet si e tillë.

“Vatra”, ka paralajmëruar institucionet e Kosovës, por edhe faktorin ndërkombëtar se nëse do të ketë dialog politik për veriun e Kosovës, atëherë në këtë dialog doemos të përfshihet edhe Lugina e Preshevës.

“Populli shqiptar i Preshevës, Bujanocit e Medvegjes, nga bisedimet e deritashme në mes Kosovës e Serbisë ka përvoja të hidhura, sepse çështja e pazgjidhur e tyre ka mbetur prapa dyerve të Rambujesë, Vjenës e takimeve tjera duke e lënë që ajo popullatë të diskriminohet e nëpërkëmbet nga pushteti serb duke i shkelur kështu të gjitha konventat ndërkombëtare të popujve për të jetuar të lirë”, thuhet mes tjerash në kumtesën e lëshuar nga “Vatra”.

Populli shqiptar i Kosovës Lindore është përcaktuar për bashkëngjitje me trungun e vet – Kosovën, në Referendumin e 1 e 2 marsit 1992, Luftën e UÇPMB-së dhe Deklaratën Politike të Këshilltarëve të tri komunave, thuhet në komunikatën e kësaj shoqate. (LajmeShqip.com)