Lajme Shqip Saturday, 26 October 2013 15:13

Beograd- U përcoll për në banesën e fundit me të gjitha nderimet shtetërore në Beograd bashkëshortja e Josif Broz Tito, Jovanka.

Jovanka Broz ndërroi jetë pas një ataku kardiak në moshën 88-vjeçare në kryeqytetin serb fundjavën e kaluar në moshën 88-vjeçare.

Ajo u varros përkrah bashkëshortit të saj në muzeoloumin “Shtëpia e Luleve” me të gjitha nderimet ushtarake për shkak të statusit si anëtare e dekoruar e luftës anti-naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Për 3 dekada, Jovanka ishte Zonja e Parë e Jugosllavisë, ndërkohë që pas vdekjes së bashkëshortit, në vitin 1980, u tërhoq plotësisht nga jeta publike, por jo vetëm kaq, u përball edhe me akuzat e ngritura nga regjimi i Millosheviçit, njëra prej të cilave ishte edhe ajo e “tentativës për grusht shteti”.

Në një intervistë për gazetën serbe “Politika” në vitin 2009, e veja e Titos rrëfeu momentet e arrestimit.

“Erdhën në mes të natës më morën me forcë ashtu sic isha, pa mundur të marrë asgjë tjetër me vete. Isha në izolim dhe trajtohesha si një kriminele. S’mund të largohesha nga shtëpia pa shoqërimin e rojeve të armatosura”, tha ajo.

Në ceremoninë shtetërore mori pjesë edhe kryeministri serb, Ivica Daçiç që në fjalën e tij e cilësoi atë si krenaria e kombit, ndaj së cilës serbët kanë kryer “faje”. /top channel/