Lajme Shqip Wednesday, 22 August 2012 20:38

Beograd – Shtrëngimi i duarve mes Sllobodan Millosheviç dhe kryeministrit shqiptar Fatos Nano në samitin e Kretës në vitin 1997, ka shërbyer si objekt debatesh për shumë vite. Ndonëse pak është marrë vesh përtej fotos dhe imazheve të shpërndara zyrtarisht, nuk kanë munguar asnjëherë aludimet për çka ishte biseduar mes tyre.

Tanimë, është vajza e liderit famëkeq të ish-Jugosllavisë ajo që në një intervistë për gazetën serbe “Standard” ndalet edhe tek ky takim. “Pas marrëveshjes së Dejtonit, e cila dha mundësinë për krijimin e shtetit të tri popujve, u mbajt Samiti i Kretës me vendet e Ballkanit Perëndimor. Aty Kryeministri shqiptar Fatos Nano, deklaroi publikisht se Kosova është një çështje e brendshme e Jugosllavisë”, rrëfen Marija, vajza e Sllobodan Millosheviçit. Ajo sqaron se në atë kohë babai i saj firmosi dhe një marrëveshje me Rugovën pasi donte që ta qetësonte situatën, por nuk ndodhi ashtu.

“Babai im ishte më i miri për të gjitha. Këtë e kam parë fare qartë. Por, fatkeqësisht këtë e shihnin dhe të tjerët. Them “fatkeqësisht” sepse dhuntitë e tij superiore gjeneronin diçka si zili tek të tjerët, madje edhe urrejtje. Një gjë e tillë në histori ka ndodhur gjithnjë”, shprehet Marija.

Më tej, ajo vlerëson se vendet e Ballkanit duhet të shqetësohen pasi “Shqipëria e Madhe” po bëhet realitet, ndërsa insiston se Millosheviç u vra nga ajo çka e cilëson “Rendi i ri botëror”.

Sipas Marijës, ekziston “Deklarata Islamike” e Izetbegoviqit dhe këtë dokument duhet ta lexojë kushdo që i intereson paqja në botë. “Në të kundërt, do të bëhet vizionare nëse nuk ndalohet. Dhe kur flasim për vizione, karta e Shqipërisë së Madhe duhet të shqetësojë të gjithë popujt e Ballkanit të jugut, pasi të gjithë duhet të dinë se në realitet nuk ekziston Serbi e Madhe, ama po bëhet realitet Shqipëria e Madhe”, këmbëngul Marija. (Sh.C)