Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 07:55

Tokio – Mijëra ushtarë të Japonisë dhe SHBA-së filluan sot një operacion treditor të gjurmimit intensiv për personat të cilët evidentohen të humbur në bregdetin verilindor të vendit, i cili ishte i goditur nga cunami para tre javëve, kumtoi Ministria japoneze e Mbrojtjes.

Në prefekturat më të goditura, Mijagi, Ivate dhe Fukushima janë dërguar 18 mijë ushtarë nga forcat japoneze për vetëmbrojtje dhe shtatë mijë ushtarë amerikanë.

Në operacionet vëzhguese nga ajri dhe deti pritet të marrin pjesë 120 aeroplanë dhe 65 anije. Do t’u bashkëngjiten edhe 20 helikopterë nga aeroplanmbajtësi amerikan bërthamor “Ronald Regan”.

Sipas informatave të fundit të policisë japoneze, bilanci i të vdekurve gjatë tërmetit shkatërrues në Japoni dhe cunamit, i cili vijoi pas tij, arriti mbi 11.500 persona, ndërsa 16.441 llogariten të zhdukur.

Operacioni për gjetjen e të zhdukurve nuk do ta përfshijë zonën prej 30 kilometrave rreth centralit bërthamor Fukushima 1, ku janë të regjistruara nivele të rrezikshme të radiacionit.

Në operacionet shpëtuese dhe operacionet për rinovimin e rajoneve, të prekura nga fatkeqësia, marrin pjesë rreth 15 mijë ushtarë amerikanë.

Në Japoni janë të sistemuar rreth 47 mijë ushtarë amerikanë në pajtim me marrëveshjen dypalëshe në sferën e sigurisë.