Lajme Shqip Sunday, 28 August 2011 17:52

Nju-Jok – Uragani Irena i është afruar dukshëm qytetit amerikan të Nju-Jorkut dhe janë shënuar dhjetë viktimat e para të tij, si pasojë e aksidenteve me makinë, sulmeve në zemër dhe rrëzimit të pemëve, kanë raportuar mediat amerikane.

Uragani tashmë e ka kaluar në Karolinën e Veriut, në Virxhinia dhe Florida.

Kryebashkiaku i Nju-Jorkut ka apeluar te qytetarët që në këto momente, ata që nuk janë evakuuar, të mos dalin nga shtëpitë. “Natyra është shumë më e fuqishme se ne”, ka thënë ai.

Edhe njëherë dua të përsëris. Gjithkush duhet të qëndrojë brenda shtëpisë së tij deri sa të përmirësohen kushtet e motit, që ndoshta nuk do të ndodhë deri të dielën pasdite. Nëse nuk jeni evakuuar, sugjerimi ynë është të qëndroni aty ku jeni. Natyra është shumë më e fortë sesa ne”, tha Majkëll Blumberg, kryetarë i Nju Jorkut.

Me afrimin e tij përgjatë bregdetit amerikan uragani ka ndërprerë rrymën për më shumë se një milionë njerëz, ka anuluar tetë mijë fluturime dhe ka detyruar dy milionë njerëz t’i braktisin shtëpitë.

Gjithashtu, sipas ekspertëve amerikanë, dëmi që mund ta shkaktojë uragani Irena mund të arrijë në 12 miliardë dollarë.

Ekspertët e NASA-s kanë thënë se uragani Irena ka diametër prej 840 kilometrave, sa një e treta e gjatësisë së përgjithshme të bregut lindor të SHBA-së. Për herë të fundit, Nju-Jorku u godit nga uragani në vitin 1985, kur uragani Gloria shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe vdekjen e 8 personave.