Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 16:24

Gjenevë – Në tre javët e fundit në përleshjet në qytetin libian Misrata e kanë humbur jetën të paktën 20 fëmijë, njoftoi sot Fondi i fëmijëve i Kombeve të Bashkuara (UNICEF).

Numri më i madh i fëmijëve të vrarë kanë qenë më të rinj se dhjetë vjeçarë, ndërsa viktima më e re ka pasur vetëm nëntë muaj. Gjatë përleshjeve midis kryengritësve dhe forcave të liderit libian Moamer Gadafi ka edhe një numër të madh të fëmijëve të plagosur, thuhet në kumtesën e UNICEF-it.

Sipas Fondit, fëmijët kanë vdekur nga lëndime të marra nga plumba ose shrapnelë nga minahedhës dhe granata tanke.

Disa dhjetëra mijë fëmijë janë rrezikuar për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit të pastërt në Misrata, paralajmëroi UNICEF-i, duke shtuar se javën e kaluar fëmijët në këtë qytet kanë qenë cak edhe i sulmeve të snajperistëve.

Ndërkohë, organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Hjuman Rajts Uoç vlerësoi se forcat e Gadafit me sulmet ndaj civilëve në Misrata po i shkelin të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Hjuman Rajts Uoç, gjatë përleshjeve në këtë qytet libian të tretë sipas madhësisë shërbimet mjekësore kanë regjistruar rreth 250 viktima, shumica civilë.

Personat zyrtarë libianë i hedhin poshtë akuzat se sulmojnë civilë, duke theksuar se luftojnë kundër “grupeve të armatosura dhe simpatizantëve të Al Kaedas të cilët përpiqen ta destabilizojnë vendin”.