Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 07:33

Uashington – Presidenti amerikan, Barak Obama, ka mbajtur takime gjatë natës me liderët e Kongresit në Uashington, lidhur me çështjet buxhetore me shpresë se do të shmanget bllokada e qeverisë federale.

 

Megjithatë, nuk është raportuar për ndonjë kthesë.

 

Demokratët dhe republikanët në Kongres nuk pajtohen lidhur me atë se sa shumë të shkurtohet buxheti federal, me qëllim që të filloj ulja e borxhit të madh të vendit.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senatin amerikan, Hari Rid deklaroi se me sa duket qeveria amerikane do të mbyllet, ndërkohë që presidenti Barak Obama dhe udhëheqësit e Kongresit janë mbërthyer në mosmarrëveshje rreth buxhetit.

Senatori Rid deklaroi se nuk është më aq optimist rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sa ishte dje pas takimit me kryetarin e Dhomës së përfaqësuesve, Xhon Bejnër dhe me presidentin Obama.

Bejnër tha sot se bisedimet po “përparojnë” drejt arritjes së një kompromisi rreth një plani shpenzimesh deri në fund të këtij viti financiar, që përfundon më 30 shtator. Megjithatë, ai tha se nuk është arritur ende një marrëveshje rreth shkurtimeve buxhetore apo vijave politike, që mbështeten nga republikanët, si për shembull të drejtat e abortit dhe çështjet e mjedisit.

Senatori Rid dhe Bejnër u takuan përsëri në Shtëpinë e Bardhë në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi buxhetin e vitit fiskal 2011, që filloi tetorin e kaluar. Pa një marrëveshje para ditës së nesërme në mesnatë, shumë funksione të qeverisë federale do të ndërpriten.

Në një mesazh që vuri në Tuitter, Presidenti Obama tha se ndërsa ekonomia amerikane po del nga një “recesion tepër i rëndë”, do të ishte “e pafalshme” që të mos arrihej një kompromis.

Dhoma e Përfaqësuesve voton sot mbi një propozim republikan për të financuar qeverinë federale edhe për një javë. Senatori Rid tha se është kundër atij projekt-ligji. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Obama do t’i vejë veton nëse arrin në tavolinën e tij.