Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 09:15

Uashington – Dy vite pas fjalimit të presidentit amerikan, Barak Obama në Kajro, gjatë të cilit ai bëri thirrje për fillim të ri në marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe botës myslimane, popullariteti i tij dhe ai i SHBA-së janë ulur në mënyrë drastike në botën arabe, tregojnë rezultatet e hulumtimit, të zbatuar nga Instituti arabo-amerikan.

Shumica e të anketuarve, mbi katër mijë persona në Egjipt, Jordani, Liban, Marok, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mendojnë se Obama nuk i ka përmbushur premtimet, të cilat i dha në Kajro, në vitin 2009.

Mendim më të mirë për SHBA-në kanë sauditët, por edhe më tej vetëm 30 për qind janë deklaruar pozitivisht lidhur me Obamën dhe vendin e tij, për dallim nga 41 për qind në vitin 2009.

Mendimin më negativ për Obamën e kanë egjiptianët. Vetëm pesë për qind prej tyre shprehën mendim pozitiv për SHBA-në dhe presidentin e saj, në krahasim me 30 përqindët në vitin 2009.

Në Marok, mbështetja për SHBA-në u pakësua prej 55 për qind në vitin 2009, në 12 për qind sot.

Sipas Institutit, të anketuarit mendojnë se mënyra sipas së cilës administrata e Obamës po përpiqet t’i zgjidhë ngjarjet e rëndësishme në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, nuk ka kontribuuar për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Uashingtonit dhe botës arabe.