Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 17:40

Tripoli – Djali i Moamer Gadafit, Seif al Islam është arrestuar në jug të Libisë, deklaroi ministri i Drejtësisë dhe Të drejtave të Njeriut në këshillin kalimtar kombëtar Mohamed al Algi.

Seif al Islam (39), i kërkuar nga Gjykata ndërkombëtare penale, është arrestuar në afërsi të Obarit në pjesën jugore të Libisë, deklaroi Alagi. Ai theksoi se Seif al Islami ka udhëtuar në një kolonë të automjeteve me një grup të truprojave. Pas arrestimit të tij me helikopter është dërguar në qytetin Zintan, prej ku do të dërgohet në Tripoli.

Shefi i operacioneve të KKK-së nga Zintani Bashir Tulaib në pres-konferencë në Tripoli, deklaroi se njerëzit e tij e arrestuan Seif al Islamin dhe tre bashkëpunëtorët e tij në rajonin e Obarit, teksa tentonte të largohej për në Niger. Në pyetjen nëse djali i Gadafit do t’i dorëzohet Gjykatës ndërkombëtare penale, ai u përgjigj se ky vendim duhet të sillet nga Këshilli kalimtar kombëtar.

Televizioni “Libia e Lirë” publikoi një xhirim nga Seif al Islam pas arrestimit të tij në të cilin duket se është në gjendje të mirë shëndetësore.

Më 27 qershor Gjykata ndërkombëtare penale ka dhënë urdhër për arrestimin e Al Islamit pas akuzës për krime kundër njerëzimit.

Zëdhënësi i Gjykatës ndërkombëtare penale kumtoi se sot ka marrë vërtetim për arrestimin e djalit të Gadafit nga Ministria e Drejtësisë së Libisë. (LajmeShqip.com)