Lajme Shqip Monday, 17 June 2013 20:12

Londër- Truqia, Afrika e Jugut dhe Rusia kanë reaguar me zemërim ndaj qeverisë britaneze për shkak të raporteve se zyrtarët e këtyre vendeve janë përgjuar gjatë samitit të G20-tës në Londër në vitin 2009.

The Guardian kishte raportuar në lidhje me këtë rast, i cili ka të bëjë me përgjimet e disa zyrtarëve turq, gjatë këtij samiti në vitin 2009, ndërkaq lajmi e ka zemëruar tejmase kryeministrin turk Recep Tayyip Erdogan.
Sipas britanikes The Guardian, atëkohë, cak i përgjimeve ishte ministri turk i financave, Mehmet Simsek dhe ish themeluesi i bankës Merril, derisa ishte i ftuar në samitin e G20-tës në Londër. 
Sipas The Guardian, qëllimi i përgjimit “ishte të mblidheshin informata në lidhje me pozicionin e Turqisë karshi reformave financiare globale, derisa bota po përballej me krizën e bankave”.
Ndërkohë publikimet vijnë në një kohë jo edhe aq të mirë për Turqinë. Kryeministri turk, Erdogan, ka fajësuar mediat ndërkombëtare, kryesisht BBC-në, për “fryrjen e ngjarjeve sa u përket protestave të fundit në Turqi kundër qeverisjes së tij”. Madje Erdogan e ka quajtur një “konspiracion ndërkombëtar”. 
“Lajmi se ministri i tij ka qenë viktimë e përgjimeve në Britani, mund ta zemërojë edhe më shumë Erdoganin”, shkruan Guardian. 
Përgjimeve britaneze, nuk u kishtë shpëtuar as ministri i jashtëm jugafrikan. Ai ishte cak i përgjimeve në vitin 2005. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të këtij vendi thuhet: “Nuk kemi ende ndonjë raport të detajuar për këtë, mirëpo ne dënojmë çdo shkelje të privatësisë dhe të të drejtave të njeriut nga ata që pretendojnë të jenë demokratë”.
Dyshohet se edhe zyrtarët rusë janë të përfshirë në këto përgjime. Kjo do të bëjë që pozicioni i Rusisë me SHBA-në, të mos jetë edhe aq i kënaqshëm derisa Samiti i G8-tës po mbahet në Irlandën e Veriut të hënën dhe të martën.