Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 14:11

TURQI – Dje ushtria turke qëlloi me artileri objektiva në Siri, si kunderpergjigje pasi bombardimet nga Siria goditën një fshat kufitar në Turqi, duke lënë të paktën pesë të vrarë, 2 gra dhe 3 femijë, dhe nëntë të plagosur.

Shumë ushtarë sirianë kanë vdekur gjatë natës së djeshme nga bombardimet e ushtrisë turke në rajonin e Rasm al-Ghazal, pranë qytetit Tal Abiad, në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë. Dje, pesë civilë turq u vranë pas bombardimeve të ushtrisë siriane, akt i dënuar ashpër nga autoritetet turke.

PARLAMENTI URDHERON USHTRINE TE NDERHYJE
Parlamenti turk autorizoi sot ushtrinë të ndërhyjë ushtarakisht në Siri. Vendimi erdhi pas një sesioni urgjent në reagim të kërkesës së qeverisë për ndërhyrje ushtarake pasi dy gra dhe tre femijë mbetën të vrarë në qytetin kufitar turk me Sirinë.

Ligjvënësit turq votuan me 320 vota pro ndërhyrjes ushtarake. 129 deputete votuan kunder. Por, do të jetë qeveria turke nëse do të miratojë ose jo këtë vendim të parlamentit. Përshkallëzimi i tensionit mes këtyre dy vendeve fqinje e bëri NATO-n të thërrasë një takim urgjent në Bruksel dje vonë, me kërkesën e Turqisë. Deputetët turq debatuan dhe me pas miratuan një tekst të propozuar nga qeveria islamo-konservatore që thekson se nëse do të jetë e nevojshme, Parlamenti do të mandatojë për të urdhëruar operacionet e ushtrisë në Siri sepse aktivitete armiqësore kundër territorit turk janë në pikën për t’u kthyer në një sulm ushtarak. Ky autorizim parlamentar është i vlefshëm për një vit. Kushtetuta turke parashikon që çdo operacion ushtarak duhet të autorizohet paraprakisht nga Parlamenti.

SIRIA SULM, TURQIA KUNDERPERGJIGJET
Mbrëmjen e djeshme u godit me mortaja qyteti Akcakale. Ankaraja akuzoi menjëherë forcat siriane për sulmin. Në një deklaratë të kryeministrit të Turqisë thuhet se ushtria turke u përgjigj duke qëlluar objektiva në Siri në përgjigje të atij që e cilësoi si “akt mizor”. Në deklaratë thuhet se përgjigja ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe rregullat e konfliktit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun paralajmëroi kundër përshkallëzimit të konfliktit sirian. Nga Nju Jorku, ai i bëri thirrje qeverisë siriane “të respektojë plotësisht integritetin territorial të fqinjëve të saj si dhe t’i japë fund dhunës kundër popullit sirian”.

Në Uashington, sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, e quajti gjendjen “tejet të rrezikshme”. “Ne jeni të indinjuar që sirianët kanë shtënë përtej kufirit. Na vjen shumë keq për humbjen e jetëve në anën turke të kufirit”. Sekretarja Klinton tha se “të gjitha vendet e përgjegjshme duhet të bashkohen” që ta bindin qeverinë siriane të Presidentit Bashar al-Asad “të ndalojë zjarrin, të ndërpresë sulmet ndaj popullit të vet dhe të fillojë procesin e tranzicionit politik”.

Turqia po shton përpjekjet e saj diplomatike për mbështetje ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm Ahmet Davutoglu foli në telefon me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen. Turqia ka kërkuar ndërhyrjen ndërkombëtare në Siri, që kur forcat siriane rrëzuan një avion turk në muajin qershor.

NATO-ja u ka rezistuar këtyre thirrjeve, por pas sulmit më të fundit sirian, analistët thonë se Ankaraja ka të ngjarë ta shtojë presionin ndaj aleancës që të veprojë. Më vonë NATO-ja lëshoi një deklaratë në të cilën e dënon sulmin. Ajo tha se “aleanca vazhdon të qëndrojë përkrah Turqisë dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të akteve të tilla agresive kundër një aleati të saj”. NATO-ja i bëri gjithashtu thirrje “regjimit sirian t’i japë fund shkeljeve flagrante të ligjit ndërkombëtar”.

Me intensifikimin e luftimeve në Siri dhe lëvizjet saj pranë kufirit me Turqinë, rastet e dhunës përtej kufirit në territorin turk janë shtuar. Ankaraja ka theksuar në mënyrë të përsëritur se do të veprojë në bazë të ligjit ndërkombëtar, por nuk do të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme në Siri. (LajmeShqip.com)