Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 10:50

Londër – Presidenti i Turqisë Abdulla Gyl deklaroi mbrëmë në Londër se Ankaraja nuk do të mbetet indiferente ndaj krizës siriane dhe se do t’i mbështesë kërkesat e sirianëve.

Në një bisedë për BBC-in presidenti Gyl tha se në Siri janë të nevojshme reforma fundamentale, por se Turqia më nuk i beson aleatit të saj të deritanishëm, Bashar al Asad.

“Edhe krahas kontakteve të shpeshta personale me Asadin dhe premtimet se do të prijnë reforma në vend nuk pati kurrfarë ndryshimesh konkrete”, tha Gyl, duke nënvizuar se e gjithë ajo që duhej të bëhej në Siri është shumë pak dhe vjen shumë vonë.

Sipas Gyl regjimi sirian tani po shkon drejt fundit vdekjeprurës, ndërsa vendi është në rrugë për skenarin më të keq.

Presidenti turk Gyl ndodhet për vizitë zyrtare treditore në Britaninë e Madhe, si mysafir i mbretëreshës Elizabeta. Mbretëresha britanike mbrëmë me këtë rast organizoi darkë solemne për mysafirin e lartë nga Turqia.

Paraprakisht ai e vizitoi Dauning Street 10, ku u takua dhe bisedoi me kryeministrin Dejvid Kameron. Gjatë takimit është folur për situatën në dhe rreth Sirisë, për situatën e përgjithshme në Lindjen e Afërt, për anëtarësimin turk në Bashkimin Evropian, si dhe për përforcimin e lidhjeve tregtare bilaterale.

Marrëdhëniet britaniko-turke vlerësohen si mjaft të mira. Londra zyrtare ka pothuaj pikëpamje identike me Turqinë dhe e ka mbështetur mjaft atë për anëtarësimin në BE, ndërkohë që të dy vendet dëshirojnë zhvillim të bashkëpunimit ekonomik. Qeveria në Ankara insiston për ndërprerjen e vizave për shtetasit turk për hyrje në Britaninë e Madhe, por tani për tani nuk ekzistojnë kurrfarë gjasash që Londra t’i kënaq këto kërkesa turke.