Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 14:02

Tunizi – Gjykata në Tunizi e dënoi mbrëmë presidentin e përmbysur Zin el Abidini Ben Ali me 16 vite burgim, pas akuzës për korrupsion dhe mashtrim të pronës.

Gjykata gjithashtu e dënoi edhe vajzën e Ben Alisë, Nesrinën, me tetë vite burgim, ndërsa burrin e saj Sakra el-Materi me 16 vite burgim.

Ish-presidenti i Tunizisë, i cili tani gjendet në egzil në Arabinë Saudite, është dënuar se personalisht ka intervenuar për vajzën e tij dhe burrin e saj që të munden të blejnë dy parcela me çmim të ulët në lagjen e pasur të kryeqendrës tuniziane.

Ben Ali me bashkëshorten u larguan në Arabinë Saudite në mes të muajit janar, pasi që nën presion të demonstratave disamujore e braktisi pushtetin.

Ben Ali veçmë dy herë është dënuar në mungesë. Për shkak të posedimit të armëve, narkotikëve dhe tregtisë ilegale me antikitet arkeologjik, më 4 korrik është dënuar në 15 vite e gjysmë burgim dhe dënim parash prej 54.000 euro.

Muajin e kaluar ai dhe bashkëshortja e tij janë dënuar me nga 35 vite burgim dhe 45 milionë euro për shkak të keqpërdorimit të fondeve shtetërore, pasi që policia në pallatin e tyre gjeti sasi të madhe parash dhe stoli.