Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 12:18

Pamjet e vrasjeve të filmuara nga Mohamed Merah, i cili vrau shtatë persona në jug-perëndim të Francës, është marrë nga dega e televizionit Al Jazeera në Paris. Lajmin e kanë bërë të ditur burime policore lokale. Një kartë memorie kompjuteri, që përmbante një montazh të pamjeve të shoqëruara nga leximet e Kuranit, iu dërgua kanalit televiziv para se t’i kalonte policisë.

Merah, 23 vjeç, u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë javën e kaluar. Vëllai i tij, Abdelkader Merah, është akuzuar për bashkëpunim në vrasje, por ai i mohon akuzat.

Atentatet e të riut, ku mbetën të vrarë edhe tre fëmijë, tronditën Francën. Pakoja që iu dërgua Al Jazeera-s mban datën 21 mars, ditën kur policia rrethoi apartamentin e Merah, bën të ditur gazeta “Le Parisien”.

“Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse letra ishte postuar natën e së martës nga vetë Merah, apo nga ndonjë bashkëpunëtor i tij të mërkurën në mëngjes”, thotë gazeta.

Mohamed Merah, një shtetas francez me origjinë nga Algjeria, humbi jetën në një shkëmbim zjarri me forcat speciale, pas një rrethimi të apartamentit të tij në Tuluz, që zgjati 32 orë. Gjatë negociatave, ai pranoi se kishte qëlluar për vdekje tre ushtarë në dy atentate të ndryshme, si dhe vrasjen e tre fëmijëve dhe një mësuesi në një shkollë hebraike.

Ndërkohë, babai i Merah tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se i biri i tij do të varroset në Algjeri, që është edhe vendlindja e tij. Mohamed Benalel Merah deklaroi gjithashtu se do të ndërmarrë një aksion ligjor kundër autoriteteve franceze për vdekjen e të birit, duke u shprehur se policia mund ta kishte kapur atë të gjallë.