Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 08:00

Londër-Kanë nisur përçarjet e para në qeverinë e Devid Kameron, dy ditë pas vetos së Britanisë së Madhe ndaj paktit të Bashkimit Europian.

Lideri i liberal demokratëve britanikë, Nik Kleg, i cili është njëkohësisht zëvendës kryeministër në qeverinë e Kameron, është shprehur shumë i zhgënjyer nga rezultatet e samitit të liderëve të BE-së.

Zv.kryeministri, një europian i bindur dhe lideri i partisë që mban në këmbë ekzekutivin britanik i ka thënë Kameron se i tiji ishte një vendim i keq. 

“Britania e Madhe rrezikon të izolohet dhe margjinalizohet nga Bashkimi Europian pas vendimit të kryeministrit Kameron për të vënë veton ndaj paktit të propozuar nga Parisi dhe Berlini, për një disiplinë më të madhe politike në bilancin e përbashkët”-ka deklaruar Kleg, cituar nga e përditshmja “The Guardian”.

“Jam thellësisht I zhgënjyer me rezultatet e samitit të kësaj jave në Bruksel, sepse mendoj se ekziston rreziku real që ta shohim Britaninë e Madhe të izoluar”-ka thënë Kleg gjatë një interviste për BBC.

Sipas tij një Britani e Madhe jashtë Europës do të konsiderohej e pa rëndësishme nga Washingtoni. Por zëvendëskryeministri është shprehur kundër një referendumi popullor për këtë çështje, duke theksuar nga ana tjetër se Londra duhet “të rilidhë fijet me Europën”.

Përveç Kleg, edhe dy ministra të tjerë brenda qeverisë së Kameron kanë konfirmuar se vendi ndodhet në një pozicion të keq.

“Nuk kritikoj kryeministrin, politika jonë ishte një vendim kolektiv por kemi përfunduar në një pozicion të keq”-ka deklaruar sekretari britanik për biznesin dhe inovacionin, liberaldemokrati Vince Cable për “The Telegraph”.

Ndërsa sekretari i drejtësisë Ken Clarke e ka cilësuar një rezultat zhgënjyes, atë të samitit të BE në Bruksel, javën e kaluar. 

Sondazhet janë me Kameron, 62% bie dakord me kryeministrin 

Shumica e britanikëve mendon se kryeministri Kameron bëri mirë që iu kundërvu ndryshimit të Traktatit të BE-së. Kështu rezulton nga një sondazh I publikuar nga e përditshmja “Mail on Sunday”.

Kështu 62 % e britanikëve mbështesin qëndrimin e kryeministrit konservator, ndërsa vetëm 19 % deklaron se Kameron ka gabuar strategji. 

Një përqindje edhe më e rendësishme, rreth 66 % e personave të pyetur, ka deklaruar se do një referendum për raportet mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian, ashtu siç kanë kërkuar edhe drejtuesit e Partisë Labursite.

Ndërsa britanikët që dëshirojnë prishjen e plotë të marrëdhënieve me Europën dhe të dalin nga BE, rezultojnë të jenë 48 %. (LajmeShqip.com)