Lajme Shqip Saturday, 22 September 2012 11:03

Athinë – Komisioni Evropian konfirmoi sot se Trojka do të tërhiqet nga Greqia, ende pa u mbyllur paketa e masave 11.9 mld euro. 

Largimi i zyrtarëve të Trojkës (KE, FMN, BQE) nga Athina u konfirmua sot në Bruksel nga Simon O’Connor, zëdhënësi i Komisionerit të Ekonomisë, Olli Rehn, i cili duke theksoi se largimi i misionit nuk tregon ecurinë e negociatave.

Simon Connor tha se në Athinë do të mbeten ekspertët teknikë të Trojkës, duke shtuar se “prania fizike” e zyrtarëve të lartë të saj, nuk është e nevojshme për vazhdimin e negociatave me autoritetet greke. “Largimi i Trojkës nuk është një tregues i ndonjë problemi. Negociatat janë në vazhdim dhe diskutimet janë duke përparuar. Jam i sigurt se do të rezultojnë në efekt të menjëhershëm”, tha Simon Connor. 

Pyetjes se kur pritet të përfundojë raporti i vlerësimit të Trojkës, përfaqësuesi i Komisionit iu përgjigj duke thënë se nuk ka asnjë afat kohor specifik. Më herët, kreditorët e Greqisë kishin planifikuar të përgatisnin dhe dorëzonin një raport me konkluzione mbi gjendjen e ekonomisë greke, ndoshta para takimit të ministrave të financave të eurozonës, që do të mbahet më 8 tetor. 

Por sipas Reuters, raporti i KE, BQE dhe FMN për qëndrueshmërinë e borxhit të Greqisë pritet të shtyhet deri pas zgjedhjeve amerikane. Agjencia mbështetet në deklarata të zyrtarëve dhe diplomatëve të Bashkimit Evropian, të cilët kanë pohuar se udhëheqësit evropianë duan të shmangin një “shok” të mundshëm për ekonominë botërore para zgjedhjeve amerikane.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Financave gjermane kategorikisht mohoi skenarët për një prerje të re mbi borxhin grek. (LajmeShqip.com)