Lajme Shqip Sunday, 21 August 2011 12:10

Tripoli Katër shpërthime të fuqishme jehuan në mëngjes në Tripoli, pasi që kryengritësit libianë kumtuan se mbrëmë vonë për herë të parë e sulmuan Tripolin, në koordinim me NATON-n.

Mediat e huaja lajmërojnë se gjatë natës janë dëgjuar shpërthime dhe të shtëna të fuqishme nga armë automatike, si dhe shpërthime të bombave, me të cilat aeroplanët e NATO-s kanë sulmuar caqe në Tripoli.

Përleshjet shpërthyen disa orë pasi që kryengritësit e morën qytetin e afërt Zavia.

“E planifikuam këtë operacion, gjegjësisht komandën në Bengazi me NATO-n, aleatët tanë arab dhe luftëtarët kryengritës në Tripoli”, deklaroi shefi i Këshillit kalimtar kombëtar Mustafa Abdel Xhalil, për televizionin satelitor arab Al Xhazira.

Ai tha se ishte vendosur që sulmi i Tripolit të fillojë ditën e 20 të muajit të bekuar të Ramazanit, gjegjësisht të shtunën.

Djali i presidentit libian Moamer Gadafit, Seif al Islam, herët në mëngjes, në fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror libian tha se regjimi nuk do të dorëzohet nga lufta.

“Ne jemi në vendin tonë. Do të rezistojmë gjashtë muaj, një vit, dy… dhe do të fitojmë”, tha Al Islam.

“Nuk do të dorëzohemi, nuk do të heqim dorë nga lufta, paralajmëroi ai. – Ky nuk është vendim i Seif al Islamit, e as i Gadafit, por vendim i popullit libian”, potencoi ai.

Së shpejti pas fillimit të sulmit në kryeqytetin libian, Moamer Gadafi në një audio inçizim, të transmetuar në televizionin shtetëror vlerësoi se kryengritësit janë “të vendosur ta shkatërrojnë popullin libian”.

Ai i përgëzoi banorët e Tripolit që “i kanë eliminuar minjtë e mëdhenj” dhe u bëri thirrje kryengritësve që ta përfundojnë “maskaradën”.

“Duhet t’i vëmë pikë kësaj maskarade. Miliona duhet të marshojnë për t’i liruar qytetet e shkatërruara, theksoi Gadafi.