Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 11:43

Tripoli – Lideri libian Moamer Gadafi deklaroi në një audio-fjalim, të transmetuar nga televizioni libian, se është gjallë dhe se gjendet në lokacion, i cili është i paprekshëm për NATO-n.

“U them kryqtarëve të frikësuar se gjendem në vend, ku nuk mund të më gjejnë dhe të më vrasin. Unë jetoj në zemrën e miliona njerëzve”, theksoi Gadafi. Audio-mesazhi i shkurtë i publikuar nga Al Xhamahiria, nuk ishte i përcjellur nga video materiali.

Gadafi gjithashtu kumtoi se e ka dhënë këtë deklaratë, pasi që ka marrë një numër të madh telefonata nga libianët, të cilët kanë qenë të shqetësuar për gjendjen e tij, pas bombardimit të pardjeshëm të forcave të NATO-s në rezidencën e tij në lagjen elite, Bab al Azizia, në Tripoli.

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Franko Fratini deklaroi mbrëmë se Moamer Gadafi ndoshta ka ikur nga Tripoli dhe me siguri është i plagosur.

Fratini theksoi se beson në fjalët e peshkopit katolik në kryeqendrën libiane Xhovani Martineli, sipas të cilit “Gadafi me siguri nuk është në Tripoli dhe ndoshta është edhe i plagosur” në sulmet ajrore të NATO-s.

Ai në intervistë për gazetën “Korriera dela sera” deklaroi se “presioni ndërkombëtar me siguri e ka detyruar Gadafin të kërkojë vendstrehim në ndonjë vend më të sigurtë”.

Zëdhënësi i Qeverisë libiane e mohoi pohimin se Gadafi është i lënduar.

Pritet që Gadafi të jetë mes tre përfaqësuesve libianë, për të cilët Gjykata penale ndërkombëtare planifikon të parashtrojë urdhër-arrest të hënën.