Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 09:09

Tripoli – Lideri libian Moamer Gadafi bëri thirrje sot në mëngjes për ndërprerjen e zjarrit dhe negociata me NATO-n, por porositi që askush nuk mund ta detyrojë ta braktisë vendin.

“Askush nuk mundet të më detyrojë ta lëshoj vendin dhe askush nuk mundet të më tregojë që të mos luftoj për të. Pse i vritni fëmijët tanë? Pse e shkatërroni infrastrukturën tonë?”, theksoi Gadafi në fjalimin e tij në televizionin shtetëror, duke shtuar se është i gatshëm për ndërprerje të zjarrit përderisa ai është i dyanshëm dhe për negociata me “vendet të cilat e sulmojnë Libinë”.

Më vonë televizioni shtetëror shpalli se forcat e NATO-s kanë kryer sulm në afërsi të ndërtesës së tij, duke vlerësuar se ai ka qenë sulm i presidentin libian.

Ndërkohë, autoritetet libiane kumtuan se nuk do të lejojnë dërgesa tjera përmes rrugës detare në portin Misrata, baza e vetme më e madhe e kryengritësve në pjesën perëndimore të vendit të cilën forcat lojale të Gadafit e mbajnë nën rrethim disa javë.

Zëdhënësi i Qeverisë Musa Ibrahim deklaroi se autoritetet kanë argumente të mjaftueshme se kryengritësit në Misrata fitojnë armë nga vendstrehimi lindor i kryengritësve Bengazi, duke theksuar se kryengritësve në Misrata do t’i jepet afat prej katër ditëve për t’i dorëzuar armët, ndërsa për këmbim do t’i ofrojnë amnesti.

“Në të kundërtën kryengritësit do të ballafaqohen me një zjarr të ashpër”, theksoi Ibrahimi, deklarata e të cilit pasonte pasi që NATO-ja kumtoi se forcat e Gadafit vendosin mina në afërsi të Misratës.