Lajme Shqip Sunday, 04 December 2011 16:14

Prishtinë-Dua që barrikadat të zhduken dhe të mos ketë më përplasje mes serbëve dhe KFOR-it. Kështu ka deklaruar Rada Trajkoviç, depute serbe në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe në një intervistë për REL kua thotë se orientimi drejt dhunës, po përhapet ndër popull.

“Ky për mua është një indikacion mjaft i rrezikshëm, duke pasur parasysh që kjo përhapje e armiqësisë, në popull dhe nga populli, ndaj KFOR-it, në fund mund të rezultojë me konfrontime edhe më të fuqishme”-thotë Trajkoviç. Deputetja serbe e ka quajtur të sukseshëm presionin ndërkombëtar ndaj autoriteteve të Beogradit.

“Të gjithë po e shohim se ai ka qenë i suksesshëm, sepse, mendoj se edhe ngjarjet në barrikada, në një moment, janë bërë vërtet të pështira të shikohen. Ka zgjatur shumë, dhe tentimet e disave që ta bartin përgjegjësinë në kryetarët e komunave, në fund do të tregohet se kanë qenë të pakuptimta, sepse fuqia e tyre për të mbajtur barrikadat, realisht ka qenë krejtësisht e kufizuar”-ka thënë Trajkoviç duke shtuar se dëshiron që të gjendet një zgjidhje për situatën në veri.

Trajkoviç e ka quajtur të rëndësishme marrëveshjen e arritur në Bruksel dy ditë më parë mes delegacionit të Prishtinës dhe atij të Beogradit.

“Më e rëndësishmja është se ata e kanë arritur një marrëveshje dhe unë para së gjithash do ta lexoja atë që e ka dhënë Bashkimi Evropian dhe ndërmjetësuesi, zoti Kuper.

Ndonëse, mendoj se edhe ai do t’i përshtatë deklaratat dhe do të jetë i hapur aq sa, për momentin, të mos i rrezikojë personalitetet e tyre, në njërin apo tjetrin parlament, në skenën politike. Por, më e rëndësishme është se ata kanë arritur marrëveshje”-ka thënë Trajkoviç.

Ajo i bëri thirrje serbëve në veri të qetësohen ndërsa kritikon median dhe Kishën serbe për mbështetjen e barrikadave. “Mendoj se fuqia e serbëve dhe uniteti i tyre, gjithsesi se do të shembet nëse këtë e dëshiron Beogradi, sepse ne e dimë se si funksionojnë serbët në Kosovë. Ata fuqishëm janë të pacaktuar që t’i dëgjojnë strukturat e tyre partiake”-ka thënë deputetja serbe.

Sipas saj ky është fillimi i shembjes së unitetit. “Kështu që, unë pres që nëse të gjithë kanë qenë të sinqertë dhe seriozë, të fillojë dalëngadalë që të qetësohet rezistenca e serbëve të veriut të Kosovës.

Kur shikojmë në mediat serbe, disi mund të dallojmë se është investuar shumë për popullarizimin e liderëve të veriut dhe shumë pak për popullarizimin e çfarëdo qoftë që nënkupton qetësimin e situatës, në mënyrën që për ta të mos shkruhen tekste heroike, thuajse ata kushedi se çfarë kanë bërë të rëndësishme për serbët e Kosovës dhe për serbët në përgjithësi. Kjo atyre ua ka ushqyer shpresën se janë të rëndësishëm në këtë situate”-shtoi Trajkoviç.  

as saj kisha duhet respektuar por se qëndrimin e saj, duket se ajo nuk e ka shikuar mjaftueshëm nga të gjitha anët, në kuptimin e rreziqeve të mundshme për serbët, në rast se ata i vazhdojnë konfrontimet dhe konfliktet me KFOR-in. (LajmeShqip.com)