Lajme Shqip Sunday, 30 September 2012 15:59

Athinë – Duke iu referuar një sërë ngjarjesh që arritën kulmin saktësisht një vit më parë, më 1 nëntor, gazeta pretendon se Greqia mbërriti në cakun e një veprimi të tillë që përfundimisht ngeli vetëm në rang bisedash dhe planesh të pambaruara.

Fundi i gjithë këtij skenari ka qenë pikërisht largimi nga detyra i katër krerëve të lartë të ushtrisë në sektorët e këmbësorisë, marinës dhe aviacionit luftarak. Kurse fillimi ka qenë paqendrueshmëria e situatës për shkak të trazirave sociale gjithnjë në rritje nga masat shtrënguese në vitin e kaluar si dhe sulmi dhe tallja e ministrit të mbrojtjes dhe atij të infrastrukturës në festën lokale të Selanikut në 26 Tetor të 2011.

Dy ditë më pas, qytetarë të indinjuar kanë protestuar në Athinë, ndërsa në Selanik kanë ndërprerë paradën ushtarake me rastin e festës kombëtare të vendit duke hedhur parrulla dhe duke quajtur tradhtar vetë presidentin Karolos Papulias.

Kryeministri Papandreu, i cili atë ditë ndodhej në Kretë në mbledhjen e Internacionales Socialiste me temë zhvillimet në Tunizi, Egjipt dhe Libi, informohet se një “pranverë arabe” mund të ndodhte edhe në Greqi. Vetë kjo gazetë ka shkruar se Athina ishte qyteti i mijëra kallashnikovëve dhe se grupe të armatosura mund të sillnin destabilizim në çdo moment.

Sipas ‘To Vima’, në këto momente qarqe të caktuara i kishin kërkuar pikërisht shefit të ushtrisë, Frango Franguli, që etiketohej si nacionalist, të vihej në krye të një qeverie ushtarake që do të ndërmerrte kontrollin për të rivendosur rendin dhe paqen sociale në vend.

Në 5 Nëntor të 2011 edhe prestigjiozja franceze ‘Liberation’ shkruan pas takimit Papandreu, Merkel e Sarkozi në Kan se udhëheqësi grek kishte propozuar referendum për masat antikrizë, në mënyrë që të shmangte një destabilizim nga revoltat sociale, çka solli zemërimin e Berlinit dhe Parisit dhe fundin politik të Papandreut.

Ministri i ri i Mbrojtjes, Panos Panajotopoulos, e ka quajtur irrealist artikullin në fjalë dhe ka theksuar se roli i ushtrisë është të sigurojë pavarësine, sovranitetin dhe integritetin kombëtar të vendit. Po ashtu artikulli është quajtur i pabazë nga disa prej ushtarakëve të larguar nga detyra.

Në qarqet politike ende kërkohen shpjegime për zhvillimet e një viti më parë, ndërsa shumë politikanë pretendojnë se janë vetëm trillime justifikimi për qeverisjen e mangët nga ana e kabinetit Papandreu që e çoi vendin drejt paketave të ndihmës financiare të kreditorëve të huaj. (LajmeShqip.com)