Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 16:20

Tiranë – Presidenti Bamir Topi dhe zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe për Azinë, Tomas Kantrimen, theksuan sot domosdoshmërinë e rivendosjes së dialogut politik institucional, forcimin e demokracisë funksionale, respektimin e institucioneve të pavarura kushtetuese shqiptare, rëndësinë e pavarësisë e të profesionalizmit të mediave.

Kantrimen siguroi Presidentin Topi për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve gjatë punës dhe përpjekjeve të tij si simbol i unitetit të popullit në shërbim të Shqipërisë dhe demokracisë funksionale në vend.

Në takim, Kantrimen vlerësoi rolin e rëndësishëm konstruktiv e moderator të Presidentit Topi në funksion të shtetit të së drejtës, ruajtjes e forcimit të institucioneve të pavarura kushtetuese, si dhe për qëndrimin e drejtë institucional ndaj ngërçit politik të krijuar nga partitë politike në vend.

Presidenti Topi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale që ekzistojnë mes dy vendeve jo vetëm mike, por edhe aleate dhe shprehu mirënjohjen ndaj mbështetjes së pakursyer të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në strukturat euroatlantike, si dhe në përballimin e mjaft sfidave me të cilat jemi ndeshur e po ndeshemi dhe më konkretisht me atë të realizimit me sukses e sipas standardeve demokratike të zgjedhjeve të ardhshme vendore të 8 majit.

Presidenti Topi njohu bashkëbiseduesin me zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe situatën politike në prag të zgjedhjeve vendore.

Kreu i Shtetit shprehu vullnetin dhe angazhimin institucional që, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, të japë kontributin e tij maksimal në përgatitjen sa më mirë e në kohë të zgjedhjeve lokale dhe në pjesëmarrjen sa më të gjerë të votuesve në to, ç’ka do të ndikonin pozitivisht jo vetëm në imazhin ndërkombëtar dhe të ardhmen integruese të Shqipërisë, por dhe në funksion të interesave të qytetarëve të saj.

Topi theksoi gjithashtu gatishmërinë e tij personale dhe institucionale, që në respekt të ligjeve dhe të interesave madhore kombëtare, të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm, që garanton zgjedhje të drejta, korrekte, demokratike dhe që inkurajon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe të gjithë infrastrukturën zgjedhore.

Më tej, Presidenti u ndal tek rëndësia që paraqet paqja dhe qëndrueshmëria në Ballkan, duke shprehur njëherësh besimin se institucionet e Kosovës do të dinë të kapërcejnë me sukses të gjitha vështirësitë e sfidat aktuale nëpërmjet zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.

Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit nënvizuan rolin moderator dhe konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon si dhe theksuan faktin se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë projektuar qartë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

 

 

Takimi me kryeministrin Berisha

 

“Dialogu dhe bashkëpunimi me Komisionin Evropian në kuadër të integrimit dhe përpjekjet e mazhorancës për arritjen e një marrëveshjeje për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it janë zhvillime mjaft pozitive”, vlerësoi sot zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha.

Ndërsa vlerësoi përgatitjet që po bën KQZ dhe institucionet e tjera për procesin zgjedhor dhe hartimin e listave të zgjedhësve, Countryman nënvizoi rëndësinë që ka jo vetëm një proces zgjedhor sipas standarteve më të mira, por dhe roli dhe sjellja e partive politike në periudhën paszgjedhore.

Zyra e Shtypit e Kryeministrisë njoftoi se, gjatë takimit, Kryeministri Berisha e falenderoi z.Countryman për kontributin dhe ndihmën e madhe që SHBA-të po i japin Shqipërisë në të gjitha drejtimet.

Kryeministri njohu bashkëfolësin me pregatitjet që po bëhen në vend, në mënyrë që procesi zgjedhor i 8 Majit të arrijë standartet më të larta ndërkombëtare dhe rikonfirmoi angazhimin e plotë dhe të palëkundur të qeverisë shqiptare për arritjen e tyre.

Kryeministri theksoi se pavarësisht tentativës së Ramës për të përsëritur skenarin bllokues të vitit 2007, falë kornizës ligjore konsensuale dhe bashkëpunit të institucioneve dhe  partnerëve ndërkombëtarë, procesi i pregatitjes së zgjedhjeve po vazhdon me hapa të shpejtë.

Berisha siguroi Countryman se procesi zgjedhor i 8 Majit do të njohë standartet më të larta të transparencës, duke falenderuar edhe angazhimin e OSBE/ODIHR-it si dhe mbështetjen financiare, që SHBA-të po i japin vëzhguesve vëndas. Mazhoranca është e angazhuar për një fushatë pozitive të fokusuar te interesat e qytetarit dhe të komuniteteve, theksoi Kryeministri.

Më tej, Berisha njohu zv.ndihmësekretarin e Shtetit me zhvillimet e tryezës së partive politike parlamentare të  thirrur nga Partia Demokratike, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it që i drejtohen në mënyrë specifike partive politike aktore në procesin zgjedhor për të marrë përsipër angazhimet politike dhe detyrimet ligjore që ato kanë në procesin zgjedhor.

Marrëveshja e paraqitur nga mazhoranca, e cila përfshin edhe një numër kërkesash për transparencë dhe garanci të bëra nga Partia Socialiste, bën një zbërthim të detajuar të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe do të shërbente si një garanci shtesë për një proces zgjedhor të suksesshëm, nënvizoi Kryeministri Berisha.

Kryeministri njohu bashkëfolësin me arritjet e jashtëzakonshme në saktësinë e listave të zgjedhësve, si rrjedhojë e modernizimit të bërë nga qeveria me asistencë të OSBE-së të sistemit të gjendjes civile, si dhe e siguroi atë se marrëveshja e nënshkruar nga disa partiti parlamentare i garanton çdo subjekti zgjedhor transparencë të plotë të hartimit të këtyre listave.

Berisha u ndal në proçesin e integrimit të vendit, duke u shprehur se pavarësisht procesit zgjedhor, Qeveria nuk e ka ulur për asnjë moment intensitetin e punës në drejtim të integrimit në BE dhe plotësimit të 12 prioriteteve të vëna.

Në këtë kuadër, Kryeministri e cilësoi si shumë të rëndësishëm organizimin me sukses të Seminarit të përbashkët me Komisionin Evropian, ku mori pjesë dhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule. “Mazhoranca është e gatshme që për të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe miratimin e Avokatit të Popullit t’ia japë inisiativën opozitës me qëllim arritjen e konsensusit të nevojshëm në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve”, siguroi Berisha.