Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 07:50

Ish-kryeministrja e Ukrainës, që ndodhet aktualisht në burg ka vendosur dje t’i japë fund grevës së urisë, që zgjati prej 19 ditësh. Jevgenia Timoshenko shpjegoi se e ëma do të dërgohet të mërkurën në spital, ku  do të kurohet nga mjekët gjermanë për problemet me kollonën.

“Sot nëna ime u vizitua nga Mjeku gjerman Harms dhe ata biseduan së bashku. Ai i komunikoi një mesazh të Këshillit të Mjekëve, i cili thoshte se nëse trajtimi nuk nis në të ardhmen e afërt, kjo mund të çojë në paaftësi. Nën vëzhgimin e tij, nëna ime do të transferohet në spital dhe për momentin kurimi nuk mund të nisë shpejt për shkak të grevës së urisë”, tha e bija e ish-kryeministres, Yevgenia Timoshenko.

Julia Timoshenko hyri në grevë, pas keqtrajtimit nga rojet e burgut. Këta të fundit hodhën poshtë çdo akuzë. Përkrahësit e saj publikuan disa foto të udhëheqëses së opozitës ukrainase me njolla në trup. Jevgenia tha se e ëma ka humbur 10 kg gjatë këtyre ditëve, temperatura e trupit i ka rënë ndjeshëm dhe ajo mund të ikë nga momenti në moment.

Julia Timoshenko u dënua me shtatë vjet burg në tetor e akuzuar për abuzim detyre, gjatë kohës kur ishte kryeministre e Ukrainës. Si Bashkimi Europian ashtu dhe Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar gjyqin kundër saj si të motivuar politikisht duke kërkuar lirimin e saj të shpejtë.

Julia Timoshenko është armikja e përbetuar e presidentit Viktor Janukovic. Ajo ndihmoi në rrëzimin e tij nga pushteti gjatë Revolucionit Portokalli të vitit 2004.

Më herët, autoritetet ukrainase vendosën të shtynë samitin evropian që do të zhvillohej më 11-12 Maj, pasi presidentët e Gjermanisë, Austrisë, Rumanisë dhe Republikës Çeke anulluan udhëtimin. Kryefjala e bojkotit ishte trajtimi i Julia Timoshenkos. (tch)