Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 17:39

Shkup – Regjistrimi i popullsise dhe debatet e mospajtimet rreth kësaj çështjeje, duket se po e shtyejnë Maqedoninë drejt zgjedhjeve të parakohëshme. Një hap të madh drejt kësaj, të mërkurën e ka bërë vetë Kuvendi i Maqedonisë. Seancën e sotme parlamentare e bojkotoi edhe grupi parlamentar i BDI-së. Nga partia e Ahmetit heshtin. Jo zyrtarisht, si arsye kryesore për një hap të tillë theksohet propozimi që Dimitar Bogov të jetë  guvernatori ri i Bankës Popullore të Maqedonisë. Ndërsa grupi parlamentar i BDI priste në zyrë që VMRO DPMNE t’i ftonte në seancë, ata vazhduan punimet vetëm me partnerët e koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë”, duke votuar edhe guvernatorin e ri.

Ata përfunduan edhe debatin për ndryshimet kushtetuese rreth ekstradimit dhe emërimit të kryetarit të ri të KSHZ-së, votimi për të cilat është caktuar të premten për shkak se nevojiten 2/3 e votave. Mbetet enigmë qasja e BDI për këto pika që pritet të miratohen të premten. Nuk u pranua edhe kërkesa e PLD që emërimi i kryetarit të KSHZ, e guvernatorit të Bankës Popullore, Regjistrimi i popullsisë dhe Kodi Zgjedhor të hiqen nga rendi i ditës për shkak se për to nevojitet konsensus nga të gjitha grupet parlamentare. Nga PLD thanë se një procedurë e tillë nuk kontribuon në përmirësimin e situatës politike por përkundrazi e thellon edhe më shumë atë, dhe se është e palejueshme që çështjet të gjejnë zgjidhje me forcë.

Kryetari i ri i KSHZ sipas VMRO DPMNE-së do të ketë legjitimitet që të përmbushë aktivitetet e këtij institucioni nëse parlamenti vendos të shpërbëhet.“Shihet qartë se në vend që çështjet të shkojnë në drejtimin e duhur, në këtë parlament ato shkojnë në drejtim të gabuar. Mendoj se nuk është mirë. Tani shohim se mungon edhe BDI në sallë, pra mbetet vetëm koalicioni juaj që kryen punët me forcë. Duket qartë se VMRO DPMNE nuk dëshiron që asnjë punë ta kryejë në mënyrë serioze” tha Roza T. Karevska, PLD. “Nëse voton numri i mjaftueshëm i deputetëve atëherë kjo do të thotë se KSHZ-ja ka legjitimitet të plotë të zbatojë të gjitha aktivitetet në periudhën e ardhshme pavarësisht nëse janë aktivitete jashtë zgjedhjeve apo aktivitete në rast se parlamenti merr vendim për shpërbërje të tij” tha Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

“I ftoj kolegët deputetë nga opozita, në veçanti deputetët e partisë politike që e propozuan këtë kandidat, nëse nuk na respektojnë neve le ta respektojnë propozimin e tyre- le të vijnë ta votojnë dhe pastaj nëse mendojnë se duhet të vazhdojnë me bojkot, le të vazhdojnë” tha Trajko Veljanovski kryetar i Kuvendit. PLD reagoi edhe për përbërjen e komisionit të përkohshëm parlamentar për mbikëqyrje të Listës Zgjedhore e cila është bërë pa konsulta me opozitën.

“Habitem si u gjeta në atë listë, unë nuk jam kompetente për një çështje të tillë. Si është e mundur kjo, kur partitë nuk kanë dhënë propozime. Ju lutem për çështje të këtilla nevojitet konsensus”, tha Roza T. Karevska, PLD.

“Si parti në pushtet, nuk i shmangemi përgjegjësisë aty ku duhet… prandaj dëshirojmë t’i eliminojmë dyshimet se listat janë të tilla apo të atilla” tha Svetllana Jakimovska, VMRO-DPMNE.Në këtë seancë pritet të miratohen edhe ndryshmet e propozuara në Kodin Zgjedhor si dhe shtyrja e regjistrimit të popullsisë për në tetor. Sipas VMRO DPMNE arsye kryesore për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë është ndikimi i atmosferës së zgjedhjeve të parakohshme gjithnjë e më të mundshme, tek regjistrimi dhe anasjelltas.