Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 11:28

Tetovë – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka bërë të ditur se partia e tij qetë e pret 100-ditshin e punës së Qeverisë së re, për të reaguar më pas ndaj gjitha vërejtjeve për punën e saj.

“VMRO e BDI i kanë fituar zgjedhjet, të respektojmë principet dhe parimet demokratike, i kanë 100 ditë për të treguar se çka mund të bëjnë, duhet një qetësi një opinion që të kullohet uji dhe të kuptohet se s’ka keqkuptime dhe keqinterpretime të raporteve personale, por bisedohet për çështje të përgjithshme”, ka thënë Thaçi.

I pyetur rreth kërkesës së PDSH-së për shtyrjen e datës së regjistrimit të popullsisë, kreu i PDSH-së ka thënë se gjatë kësaj jave kryesia e partisë do të marrë vendim për regjistrimin e popullsisë.

“Përgjegjësia për këtë bie mbi fituesit e zgjedhjeve, në këtë rast mbi BDI-në dhe VMRO-DPMNE-në. Ne regjistrimin model paralel, e kemi përfunduar në disa Komuna në disa Bashkësi Lokale, në disa qytete në anën tjetër brenda kësaj jave do të mbajmë edhe një mbledhje të kryesisë së partisë dhe sigurisht se do të dalim me një qëndrim përfundimtar. Megjithatë do të kenë parasysh se tashmë është një situatë tjetër, ata që i fituan zgjedhjet e kanë përgjegjësinë e jashtëzakonshme dhe maksimale ndërsa ne si opozitë do ta mbajmë atë pjesë të përgjegjësisë që na takon”, ka thënë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi. (LajmeShqip.com)