Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 20:27

Tetovë – Ambasadori amerikan në Maqedoni Filip Riker pas takimit të së premtes me liderin e PDSH-së Menduh Thaçi në selinë e partisë në Tetovë ka apeluar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të lira, të drejta dhe para së gjithash të qeta, duke theksuar se janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë e shtetit.

Riker ka thënë se para zgjedhjeve të parakohshme dhe përfundimit të mandatit të tij përpiqet të takohet me liderët e të gjitha partive më të mëdha politike.

“Siç kam folur edhe me të tjerët u bëj thirrje të gjithë liderëve politikë të përkrahin zgjedhje të lira, të drejta dhe më e rëndësishmja mbi të gjitha zgjedhje të qeta më 5 qershor si shumë të rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë, pa dallim të rezultatit të tyre”, ka thënë ambasadori Riker. Ai ka shprehur, madje besim se të gjithë qytetarët e Maqedonisë do ta kuptojnë përgjegjësinë, do të dalin në zgjedhje dhe do ta japin votën e tyre si pjesë e procesit demokratik. Ndryshe, nga PDSH kanë informuar se lideri i tyre Thaçi në tërësi dakordohet me qëndrimet e shprehura nga ambasadori Riker.