Lajme Shqip Sunday, 17 April 2011 14:42

Tetovë – Policia ende është në kërkim të shtatë grabitësve që të shtunën plagosën pronarin e artarisë “Isak” nga fshati Kamenjan i Tetovës, të cilët më pas plagosën edhe një polic.

Grupi prej 7 deri 8 personave të maskuar e të armatosur me armë automatike, kanë hyrë në artarinë në Rr. “Ilindenska” në Tetovë, duke u kërcënuar me armë. Nga artaria, siç bën të ditur policia kanë marrë një sasi të konsiderueshme të stolive të arit. Pas lëndimeve të marra pronari është dërguar për kurim në Qendrën Kilinike në Shkup.

“Grupi pasi e ka kryer sulmin, me dy vetura të markës “Opel astra” dhe “Opel Omega” pa targa të regjistrimit, është drejtuar në drejtim të rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë. Ata janë vërejtur nga patrulla policore në fshatin Tearcë, por nuk janë ndaluar dhe me shpejtësi të madhe kanë vazhduar në drejtim të fshatit Jegunocë. Para hyrjes në fshatin Jegunocë, në afërsi të hekurudhës, ata janë ndeshur me një patrullë tjetër policore”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Siç thuhet në komunikatë, grabitësit kanë shkëmbyer zjarr me patrullën policore dhe më pas edhe me zyrtarët policorë, të cilët me veturë i kanë përcjellë nga Tearca të cilët ndërkohë kanë arritur atje. 
“Personat tjerë të grupit i kanë lënë automjetet dhe janë arratisur drejt fshatit Nerasht dhe pas tyre po zhvillohet kërkim intensiv, derisa nëpunësi i plagosur i policisë është transferuar në Qendrën klinike në Tetovë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë nga ana tjetër, Marjan Josifovski, zëdhënës i SPB Tetovë.

Sipas MPB-së, polici i plagosur është dërguar për kurim në Klinikën e Tetovës dhe gjendet jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes hetim ka kryer sektori i MPB-së Tetovë, gjykatësi hetues dhe Prokurori publik, ndërsa trupi i pajetë i Ibrahim L., është dorëzuar për ekspertizë në Mjekësinë Gjyqësor në Shkup.

Rrugët nga Jegunoca deri në hyrje të fshatit Radushë të Shkupit kanë qenë të bllokuara për një kohë të caktuar, ndërsa edhe gjatë të dielës polici është vërejt edhe në dalje të fshatit Kondovë të Shkupit. Ndryshe, në dy veturat e sulmuesve, sipas MPB, të cilat janë lënë në hyrje të Jegunocës me dyer të hapura është gjetur armatim, stoli ari etj, ndërsa MPB po punon në zbardhjen e rastit.