Lajme Shqip Sunday, 17 April 2011 07:45

Tetovë – Një person ka humbur jetën, kurse dy janë lënduar pas një grabitje që ka ndodhur pasditen e të shtunës në Tetovë. Sipas burimeve policore, jetën e ka humbur njëri prej grabitësve të cilët e kanë grabitur artarinë “Isak” në qendër të Tetovës.

Lëndime të rënda në këmbë ka marrë pronari i artarisë, ku për shkak të lëndimeve të rënda ai është transferuar nga Klinika e Tetovës në atë të Shkupit, kurse lëndime të lehta një polic. Është thirrur menjëherë policia.

Grabitja ka ndodhur rreth orës 18 kur tre ose katër grabitës janë futur në artarinë që gjendet në afërsi të Gjykatës themelore në Tetovë.

Grabitësit kanë marrë arin dhe stolitë të cilët janë gjendur në artari dhe me dy vetura janë arratisur në drejtim të fshatit Jegunoc. Njëra prej patrullave policore që kanë bllokuar akset rrugore në dalje të Tetovës është përleshur me grabitësit, me ç’rast njëri prej tyre është vrarë në vend të ngjarjes. Dy veturat më të cilën kanë ikur grabitësit, i kanë lënë në afërsi të hekurudhës para fshatit Jegunoc të Tetovës ku dhe janë dhënë në drejtim të panjohur.