Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 15:04

Tetovë – Filloi ndërtimi i fabrikës “Enflo produktion”, investim zviceran në Maqedoni në vlerë prej pesë milionë euro. Do të ndërtohet hallë fabrike për prodhimin e turbinave me erë dhe në fillim planifikohet të hapen 100 vende të reja të punës.

Sipas paralajmërimeve të investitorit zviceran, pritet që prodhimtaria të fillojë nga fundi i këtij viti, ndërsa në qoftë se tregohet i suksesshëm, i gjithë investimi duhet të jetë në vlerë prej mbi 20 milionë euro dhe minimum 500 vende pune.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Enflos, Dirk Sus, ata kanë vendosur të investojnë në tokën e tyre të cilën e kanë blerë në afërsi të Zhelinës sepse edhe pse zona e lira ekonomike ofrojnë volitshmëri, sipas vlerësimeve të tyre, fuqia e lirë punëtore në këtë hapësirë, si dhe qasja në rajon kanë qenë vendosëse që pse këtu kanë vendosur ta hapin fabrikën e tyre dhe presin që ky projekt të jetë përfitues, i suksesshëm dhe shumëvjeçar.

Sipas zëvendëskryeministrit Vlladimir Peshevski, ngjarja e sotme është edhe një dëshmi për politikën e drejtë të Qeverisë për tërheqje të investimeve të huaja dhe mundësim i biznes klimës së volitshme.

“Bëhet fjalë për investim që jo vetëm që do të mundësojë vende të reja pune, por edhe transfer të teknologjisë për shkak se kompania ‘Enflo’ në fabrikën e vet do të përdor gjeneratën e fundit të teknologjisë në këtë sferë që është shumë e rëndësishme për ne për shkak se bëhet fjalë edhe për transfer të diturisë”, tha Peshevski.

Sipas zëvendëskryeministrit Abdilaqim Ademi, për këtë projekt kontribut të tij ka dhënë pushteti qendrore, ashtu edhe ai lokal gjegjësisht Komuna e Zhelinës me qëllim të përfundimit sa më të shpejtë të dokumentacionit të nevojshëm dhe përshpejtim të procedurave.

“Shpresoj se ky investim do të rrumbullakësohet sipas planit dhe së bashku me mundësitë e zonës së lirë ekonomike në Tetovë do të kontribuojë për rritje të punësimit”, tha Ademi.

Në vendosjen e gur-themelit foli edhe Viktor Mizo, drejtor i Agjencisë për tërheqje të investimeve të huaja dhe promovim i eksportit. Ai e theksoi kënaqësinë e tij për atë që një investitor zviceran ka vendosur të investojë në Maqedoni, e jo diku në rajon.

Prodhimtaria e “Enflo”-s para se gjithash i dedikohet tregut evropian. Halla e parë është prej 3.500 metra katrorë, ndërsa sipërfaqja e përgjithshme që është marrë me qira nga ana e kompanisë është 24.000 metra katrorë (ose 2,5 hektarë). Në këtë tokë planifikohet të ndërtohen gjithsej katër halla për prodhim.