Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 08:46

Tetovë – Raportet ndëretnike dhe ato në relacion Shkup-Athinë, volumi i implementimit të Marrëveshjes se Ohrit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare, reformat dhe progresi drejt implementimit të standardeve të nevojshme për anëtarësim në NATO dhe BE si dhe aspekte tjera të jetës politike në vend, kanë përmbushur agjendën e takimit të të mërkurës mbrëma midis kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe Kaspar Veldkamp, drejtor për Evropën Juglindore dhe Lindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës.

Ahmeti, siç thuhet në kumtesën e BDI-së ka përshëndetur ndihmën dhe investimet ndërkombëtare në drejtim te ngritjes dhe vendosjes se institucioneve ne vend, investime këto të rëndësishme për perspektiven euroatlantike, perspektiven ekonomike, stabilitetin, paqen ne vend dhe rajon duke nënvizuar nevojën e intensifikimit te reformave për te arritur vlerat e një administrate të pavarur dhe profesionale, reformave në arsim, në shëndetësi si dhe reforma rrënjësore në gjyqësi.

Bashkëbiseduesit, madje kanë ndarë mendimin se  integrimet euroatlantike paraqesin rëndësi te veçantë  për Maqedoninë dhe te ardhmen e saj duke inkurajuar zgjedhjen sa më të shpejtë të kontestit mes Shkupit e Athinës, intensifikimin e reformave dhe implementimin e plotë te Marrëveshjes së Ohrit.

Ahmeti ka siguruar mysafirët se Bashkimit Demokratik për Integrim angazhohet për zgjedhje te lira, korrekte, demokratike dhe te pranueshme per te gjithë palët duke fokusuar përvojën e treguar në disa procese rishtazi, përjashtuar këtu zgjedhjet e vitit 2008 kur BDI, ‘nuk ishte ne pushtet, zgjedhje te cilat  u vlerësuan me një numër te madh të parregullsive te cilat kulmuan edhe me vrasje”.